KULTURË

Pezullimi i Panairit të Librit thellon krizën e veprimtarisë botuese

Panairi i Librit do të thyejë një traditë dydekadëshe. Nuk do të mbahet në qershor. Organizatorët të martën e kanë zyrtarizuar pezullimin e një prej organizimeve më të mëdha kulturore në vend. Për botuesit e vendit kjo është një goditje e radhës e për këtë Ministrisë së Kulturës i është kërkuar që të trefishojë subvencionet për botime e blerje librash që do të arrinte shumën prej 300 mijë eurosh.

Botuesi Edon Zeneli në Express të KTV-së ka thënë se botuesit e kanë ditur që ishte çështje kohe vendimi i mbylljes së panairit, por ka shtuar se “shpresonim se mos po ndodh ndonjë mrekulli dhe e pamë se është e pamundur”.

Sipas Zenelit, një ndihmë nga shteti do të ndihmonte botuesit e librit pas dëmeve që kanë pësuar si pasojë e mbylljes së librarive e pezullimit të panairit.

“Ne e pamë të rrugës të drejtohemi te Ministria e Kulturës, gjithmonë duke e ditur se edhe qeveria e Kosovës flet se si janë ndarë një shumë e konsiderueshme parash dhe në anën tjetër botuesit e Kosovës kërkesat i kanë modeste. Ne kemi kërkuar nga Ministria e Kulturës që në kuadër të thirrjeve publike që është blerja e librit dhe mbështetje në botim, të krijohet mundësia që botuesit të ndihmohen kësaj radhe, më shumë se herët tjera, duke shpresuar të paktën në trefishimin e shumës”, është shprehur Zeneli.

Ai ka thënë se në muajin e parë të izolimit nga pandemia, shitja online e librave ishte më e madhe, ndërsa aktualisht ka filluar të bie interesimi. Zeneli është optimist për kërkesën ndaj ministrisë, teksa shpreson që kjo situatë e krijuar mos të shkaktojë dëme të mëdha te botuesit, “të cilët edhe ashtu nuk është se pandemia i gjeti në gjendje të mirë”.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483