Bota

OBSh dhe ECDC: Shumë njerëz me HIV po diagnostifikohen vonë

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) po bëjnë thirrje për më shumë testime ndaj HIV-it, pasi shumë njerëz të infektuar me këtë virus, që shkakton sëmundjen AIDS, po diagnostikohen shumë vonë.

Kjo, sipas këtyre organizatave po ndodhë veçanërisht në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore. Diagnostikimi i vonshëm kontribuon në transmetimin e vazhdueshëm të HIV-it dhe parandalon njerëzit e infektuar të marrin trajtimin që mund t’iu shpëtojë jetën.

Një raport i botuar më 26 nëntor nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve dhe OBSh-ja tregoi se në vitin 2019-ë, më shumë se 136.000 njerëz u diagnostikuan me HIV në rajonin e Evropës, i cili përfshin 53 vende, sipas ndarjes së rajoneve të botës që bën Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Rreth 80 për qind e diagnozave të reja ishin në rajonin lindor të OBSH-së, i cili përfshin Evropën Lindore, Rusinë dhe disa vende në Azinë Qendrore.

Shqetësues është fakti se rreth gjysma e diagnostikimeve ndodhën shumë vonë, atëherë kur sistemi imunitar kishte filluar të dështojë.

“Kjo është një shenjë që strategjitë e testimit në rajon nuk po funksionojnë si duhet për të diagnostikuar herët HIV-in”, thanë agjencitë shëndetësore, në një deklaratë të përbashkët.

Në rajonin e mbuluar nga ECDC – i cili përfshin BE-në plus Islandën, Lihtenshtajnin dhe Norvegjinë – numri i rasteve të reja ka rënë me 9 për qind në dekadën e fundit po ashtu edhe numri i rasteve të padiagnostikuara.

Por, rastet e diagnostikuara së fundi në të gjithë rajonin, duke përfshirë Evropën Lindore, Rusinë dhe Azinë Qendrore, janë rritur me 19 për qind gjatë dekadës së fundit, tha raporti, dhe numri i njerëzve që jetojnë me HIV, mirëpo nuk janë diagnostifikuar, po rritet.

Ende nuk dihet se si sëmundja COVID-19 po ndikon në testimin e HIV-it. Drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge paralajmëroi se pandemia nuk duhet të “na rrëmbejë një të ardhme pa AIDS “.

“Më kujtohet kur diagnoza e HIV-it dukej si një dënim me vdekje. Tani, me trajtimin e duhur, njerëzit me HIV mund të jetojnë pa frikë nga AIDS”, tha ai.

Drejtorja e ECDC, Andrea Ammon, tha se vendet nuk duhet të injorojnë çështje tjera si HIV/AIDS për shkak të pandemisë së COVID-19.

“Një diagnostikim i hershëm i HIV është një përparësi urgjente”, tha ajo.

Sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara, UNAIDS, 38 milionë njerëz në të gjithë botën jetonin me HIV në vitin 2019, dhe 26 milionë prej tyre po merrnin terapi antiretrovirale e cila u shpëton jetën.