Bota

Në ShBA testet për Covid-19 do të lejohen të bëhen edhe në shtëpi

Rregullatori i Shëndetësisë në ShBA të martën kanë dhënë dritën e gjelbër për testin e koronavirusit që u lejon njerëzve të bëjnë testimin në shtëpi, një qasje e re kjo që mund të ndihmojë në zgjerimin e testimeve në shumë vende.

Testi nga LabCorp, fillimisht do të jetë në dispozicion vetëm për punonjësit e kujdesit shëndetësorë dhe ata që e marrin të parët do të jenë nën urdhrat e një mjeku.

Mostra e secilit sërish do të dërgohet për t’u përpunuar në LabCorp, transmeton KOHA shkrimin e Daily Mail.

Duke lejuar njerëzit që të bëjnë testet vet në shtëpi do të ndihmonte në reduktimin e infektimit të punonjësve shëndetësorë dhe ndihmojnë në ruajtjen e veshjeve mbrojtëse.

Për të bërë testin në shtëpi, së pari njerëzit do të përgjigjen në një pyetësor online. E nëse autorizohet nga një mjek atëherë LabCorp do të dërgojë një çantë testimi në shtëpinë e tyre.

Kompleti përfshin shtupë pambuku, një tub mbledhjeje, një qese të izoluar dhe kuti për të dërguar ekzemplarin përsëri në LabCorp.

Për të marrë një mostër, një shtupë pambuku sillet në secilën vrimë të hundës. Rezultatet e testit postohen online në një faqe të sigurt të kompanisë.

Kompania ka konfirmuar se testi do të jetë në dispozicion që nga java e ardhshme.

Secila çantë me këto pajisje do të kushtojë 119 dollarë. Ato nuk do të jenë në dispozicion në Maryland, New Jersey, New York dhe Rhode Island.