KULTURË

Mjegulla mesjetare serbe mbi Luginën e Preshevës

Fisniku vlonjat Vasil Çenosi në vjeshtën e vitit 1357 kishte arritur në Dubrovnik, duke përçuar atje raporte gojore lidhur me gjendjen e rëndë që po mbretëronte midis sundimtarëve serbë. Pasi paraprakisht u bë qytetar fuqiplotë i Dubrovnikut, Çenosi që nga pranvera e atij viti e kryente funksionin e emisarit në Raguzë, shkruan sot Koha Ditore.

Në kohën kur emisari vlonjat raportonte për gjendjen e rëndë dhe luftën e pakompromis midis sundimtarëve provincialë serbë, në Luginë të Preshevës, zë fill sundimi i familjes së Dragashëve apo Dejanoviqëve, që në fakt përkon me fazën e shpërbërjes së dinastisë së Nemanjiqëve.

Në një kishë të vogël në fshatin Bellovo, që gjendet midis rrugës Qystendil dhe Radomir në Bullgari, në një afresk të pikturuar sipas disa autorëve bullgarë dhe serbë, është paraqitur çifti bashkëshortor Doha apo Eudokija me bashkëshortin Dejanin, që dikur e kanë sunduar krahinën e Luginës së Preshevës dhe se selia e tyre prej nga ata kanë sunduar ka qenë e vendosur në qytetin e sotëm të Bullgarisë në Qystendil.