Zgjedhjet 2021

Miliona euro për zgjedhje të “panevojshme”

Rreth 23.5 milionë euro i ka kushtuar buxhetit të Kosovës organizimi i pesë cikleve të zgjedhjeve parlamentare në 11 vjetët e fundit, duke përfshirë edhe zgjedhjet që do të mbahen më 14 shkurt.

Në Kosovë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare u mbajtën në vitin 2010, 2014, 2017, 2019 dhe zgjedhjet e ardhshme pritet të mbahen javën tjetër.

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të mbajtura në vitin 2010, buxhetit të Kosovës, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, (KQZ) i kanë kushtuar 4.5 milionë euro, ndërkaq për zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 shkurt, qeveria në detyrë ka ndarë 5.5 milionë euro.

Që nga zgjedhjet e vitit 2010, kur kryeministër ishte zgjedhur Hashim Thaçi dhe ka përfunduar mandatin katërvjeçar, asnjë qeveri tjetër nuk ka arritur të përfundojë mandatin kushtetues, çka si pasojë ka imponuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Mjetet e shpenzuara për zgjedhje të parakohshme rëndojnë buxhetin e Kosovës, i cili kap shifrën në 2.4 miliardë eurove, thonë profesori i Ekonomisë, Musa Limani dhe ish-drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu. Ata vlerësojnë se gjendja ekonomike në vend nuk është e leverdishme për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Limani: Buxheti do të kursente mbi 10 milionë euro

Musa Limani, profesor i Ekonomisë, thotë se zgjedhjet e shpeshta absorbojnë vlera të mëdha materiale të tatimpaguesve. Nëse zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, thotë Limani, do të mbahen në bazë të procedurave ligjore, çdo katër vjet, buxhetit do t’i kishin kursyer mbi dhjetë milionë euro. Dhe këto mjete do të mund të shfrytëzoheshim për krijimin e vendeve të punës.

“Nëse e shohim nga efikasiteti i këtyre mjeteve, me këto mjete do të mund të hapen shumë vende të reja të punës. Nëse llogarisim se krijimi i një vendi pune kushton 10 mijë, atëherë del numër jashtëzakonisht i madh i vendeve të punës. Në këtë mënyrë ishte zvogëluar shkalla e papunësisë, rrjedhimisht ulja e problemeve sociale”, thekson Limani.

Shkalla e papunësisë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është rreth 30 për qind. Kurse, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.

Vetëm për shkak të pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, sipas Odës Ekonomike të Kosovës dhe asaj të Afarizmit, deri në 30 mijë të punësuar gjatë pandemisë mund të kenë humbur vendin e punës. Lidhur me këtë shifrat zyrtare mungojnë.

Në anën vjetër, personat që punojnë në sektorin publik marrin pagë mesatare deri në 500 euro, kurse ata në sektorin privat rreth 350 euro.

Gërxhaliu: Shpenzimet për zgjedhje janë të pallogaritshme

Safet Gërxhali, ish-drejtor në Odën Ekonomike të Kosovës, e konsideron të panevojshëm dhe me ndikime buxhetore organizimin e shpeshtë të zgjedhjeve. Ai thotë se përveç informatave zyrtare për shpenzimet e KQZ- së për organizimin e zgjedhjeve, nuk ka ndonjë përllogaritje të saktë për shpenzimet që bëjnë partitë politike.

Ciklet e shpeshta zgjedhore, sipas tij, Kosovën e kanë shndërruar në hapësirë eksperimentale politike, ku gjithsecila parti lufton për pushtet dhe jo për shtet.

“Informatat për shpenzime në zgjedhje merren vetëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por anashkalohen kostot tjera që përcjellin procesin zgjedhor. Besoni se në biseda me ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës, llogaritet që në fushatë zgjedhore çdo njëri prej tyre shpenzon nga 10 deri në 20 mijë(euro). E tërë kjo e ngritë koston. Dhe, Kosova nuk duhet që të lejojë një eksperiment të tillë”, thekson Gërxhaliu.

Ndërkaq, profesori Limani thekson se tashmë kur Kosova ka pësuar humbje të mëdha financiare për shkak të pandemisë, mjetet e nevojshme për organizim të zgjedhjeve, kanë mundur të orientohen në sektorë të goditur më shumë nga COVID-19.

“Këto mjete që shpenzohen për zgjedhje të jashtëzakonshme, ka qenë shumë më efikase, shumë më e drejtë, shumë më humane që t’i jepen sektori​t privat dhe t’i mundësohet të mbajë prodhimin në kompanitë e tyre dhe mos të krijojnë probleme sociale” thekson Limani.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës(ATK), mbi një miliard euro vlerësohet se shënuan humbje bizneset në Kosovë gjatë periudhës së pandemisë.

Kurse, gjatë periudhës shkurt – tetor, të vitit të kaluar, sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, janë mbyllur 761 biznese, të cilat kanë pasur të punësuar 1,316 punëtorë.

Për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve, në kuadër të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, Qeveria në detyrë e Kosovës, ka ndarë 222 milionë euro. Por, në kuadër të kësaj vlere është përfshirë edhe sektori i shëndetësisë, rritja e skemave sociale dhe pensioneve. Për këtë arsye, Oda Ekonomike e Kosovës, e ka quajtur vlerë të pamjaftueshme krahasuar me nevojat e bizneseve.

“Qeveri në funksion të buxhetit, jo në dëm të buxhetit”

Kurse, Safet Gërxhaliu konsideron se duhet të ndërpritet procesi i organizimit të shpeshtë të zgjedhjeve parlamentare, sepse në Kosovë nevojat janë të mëdha për investime.

“Kosova duhet të ketë një qeveri stabile, e cila do të jetë në funksion të buxhetit dhe jo gjithmonë në dëm të buxhetit. Kosova ka nevoja të shumta për investime. Sektori privat është i anashkaluar, projektet me prioritet janë vetëm ato ku përfiton politika”, shprehet Gërxhaliu.

Përveç shumës mbi pesë milionë euro që ndahen nga buxheti i Kosovës për organizimin e zgjedhjeve, në vit, partive politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës po nga buxheti i shtetit u ndahen më shumë se 4 milionë euro.