SHËNDETËSIA

Lidhja e vaksinës AstraZeneca me trombozën, flet shkencëtarja shqiptare

Kërkuesja shkencore shqiptare pranë Agjencisë Evropiane (EMA), Ornela Ademi ka folur në lidhje me vaksinën e Oxfordit, Astrazeneca dhe efektet anësore të saj.

Ademi tha se ekziston lidhja me trombozën, por theksoi që është e rëndësishme që çdo person që ndjen ndonjë simptomë duhet të shkojë me urgjencë tek mjeku.

“EMA e ka diskutuar lidhjen shkak-pasojë midis këtyre efekteve të rralla anësore si të trombozës, pra të mpiksjes së gjakut në kombinim me gjakderdhjen. Kjo faktikisht ka qenë një mbledhje goxha e gjatë, 4 ditore, ku ka marrë pjesë edhe agjencia e barnave kanadeze etj.

Pra ka pasur një bashkëpunim midis agjencive, një bashkëpunim internacional jo vetëm europian, ku janë diskutuar këto efekte anësore dhe është parë që ka një lidhje shkak-pasojë.

Është bërë një hetim mjeko-ligjor i këtyre pacientëve përpara se të arrinim në një përfundim të tillë, që ka një lidhje shkak-pasojë.

Janë efekte anësore shumë të rralla dhe si rezultat kompanisë i është kërkuar që të bëjë studime klinike shtesë, në lidhje me këto efektet anësore, sidomos me mekanizmin si dhe pse ndodhin këto efekte anësore.

E rëndësishme shumë është që çdo person, i cili ndjen pas vaksinimit me AstraZeneca, nga data e 3 deri në të 14, vë re shenja si marrje fryme, dhimbje në gjoks, ka një gjakderdhje të vazhdueshme, dhimbje te vazhdueshme të barkut, dhimbje koke, fryrje apo ftohje të krahut ose të këmbëve, apo mavijosje të lëkurës, shikim të turbullt, duhet të drejtohet direkt te mjeku”, theksoi shkencëtarja shqiptare.