Kosova

Lepaja përmend dy skenarë në vend pas aktakuzave të gjykatës speciale

Me gjithë ngritjen e aktakuzave kundër presidentit në dorëheqje, ish dy kryeparlamentarëve të Kosovës dhe një deputeti, qytetarët e Kosovës janë duke e ruajtur gjakftohtësinë ashtu siç edhe është kërkuar nga krerët e vendit. Kështu theksoi për Kosova.info, eksperti i sigurisë, Bujar Lepaja, i cili thekson se situate e sigurisë është stabile dhe se qytetarët e Kosovës po ruajnë gjakftohtësinë duke reflektuar si popull tolerant dhe demokratik.

Ai është i bindur se kjo situatë mund të prodhojë ndonjë krizë, megjithatë nuk ka përjashtuar që mund të prodhojë skenar të ndryshëm sidomos nga agjenturat e huaja.

”E kam fjalën për shërbimet ruse, serbe dhe disa shërbime të shteteve të lindjes së mesme. Ne jemi fatkeqësisht dëshmitar të një krimi që së fundmi ka ndodh në Vjenë e besoj që Serbia tash e tutje pas këtyre arrestimeve do të tentoj që gjithë ajo që ka ndodh në Vjenë të transmetohet e njëjtë dhe të barazoj me luftëtarët tanë të cilët kanë luftua për të drejtën elementare të çdo kombi në botë për të drejtën e lirisë”, tha ai. 

Sipas tij armatimi që po vjen në Serbi nga të gjitha anët, publikisht është deklaruar që deri sot ka qenë armatim rus dhe turk, jep indikacione që e gjithë kjo mund të prodhoj një skenar të ri, të tentoj të destabilizoj jo vetëm vendin tonë, marrë parasysh që shqiptarët janë shtrirë në gjashtë shtete fqinje përreth edhe mund të jetë një zinxhir i një konflikti që do të tentohet të mbahet i izoluar, por duke tentuar që në emër të atij konflikti të bëhen ndoshta edhe ndryshime të kufijve.

“Ky mund të jetë ai skenari më i keq që unë e shoh, por duke u bazua në anën tjetër në faktin që në Kosovë janë ende përafërsisht gati 10,000 trupa të forcave të NATO-s, që na e llogarisim si aletin tonë më të mirë që e kemi të mundshëm. Besoj që stabiliteti i Kosovës nuk do të mund të luhatet, përveçse po e them prapë, nëse Serbia, Rusia me aleatët e vet Turqinë, që kanë treguar se mund të bëjnë gjëra të tilla. Sidomos në vitet e fundit e kemi parë një skenar të tillë në pjesën e hemisferës lindore të globit në Siri dhe përreth si dhe situatën e fundit që ka ndodh në konfliktin që ka fillua tash së voni në Nagorni Karabak, ku Turqia ka raporte ndërkombëtare, ku thuhet se ka dërguar mercenarë nga Siria të cilët i ka marr, i ka pranuar si refugjat, ika trajnuar, i ka përgatitur dhe i ka dërguar në Nagorni Karabakh”, tha ai.

Pas gjithë këtyre ndryshimeve Lepaja nuk ka përjashtuar ndryshimin e qeverisë. “Sipas kushtetutës duhet të zgjidhet presidenti i ri pas 6 muajve dhe mund të ketë ndryshe edhe më të mëdha politike në vend, ndoshta edhe rënia e qeverisë aktuale dhe që mund të prodhoj apo gjeneroj situata të pa parashikueshme për neve”, tha ai.

Me arrestimet e fundit, në gjykimin e Lepajës, bisedimet me Serbinë do të marrin një kahe tjetër, jo me dëshirën tonë.

“Asnjëherë nuk kam mundur me kuptua se si një zëdhënës i Sllobodan Millosheviqit, se si një ministër i Millosheviqit, se si një kryeministër i një shteti, ish kryeministër i një shteti asnjëherë, deri në këto momente që po flasim nuk është ftuar së paku si dëshmitar nga ndonjë gjykatë ndërkombëtare si ajo e Hagës si tash kjo Gjykata Speciale që të dëshmoj për ato që vet i ka përkrah si anëtar i partisë së Millosheviqit”, tha ai.

Edhe presidenti aktual i Serbisë, ish zëdhënësi i partisë radikale, që njihet një ndër partitë që ka përkrahur njësitë çetnike që kanë bërë të gjitha krimet, si në ish Jugosllavi ashtu edhe në Kosovë, sipas tij çuditërisht deri më sot asnjëherë, së paku publikisht nuk dihet apo nuk ka ndonjë dokumentacion, apo fakt në raport ndërkombëtar ku thuhet se, është marr në pyetje së paku si dëshmitar për krimet të cilat vet ka qenë dëshmitar i tyre.

“Ne gjithë i dimë deklarimet e tij, edhe gjatë luftës në Kosovë edhe prej periudhës ‘90 Sllobodan Millosheviqi e ka marr mbështetjen e deri në vitin 99 ku forcat e NATOS kanë ndërhy, presidenti Vucic ka qenë përkrahësi më i madh i gjenocideve në ish Jugosllavi si dhe në Kosovë”, tha ai. /Kosova.info/