Kosova

KQZ-ja fton për respektim të masave mbrojtëse ndaj COVID-19

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar të dielën se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë në komunën e Podujevës dhe atë të Mitrovicës Veriore.

Në të dyja këto qytete po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune.

KQZ-ja ka kërkuar respektim të masave mbrojtëse ndaj COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi i ri.

“Sipas raportimeve nga Komisionet Komunale Zgjedhore nga këto dy komuna të gjitha qendrat e votimit janë hapur në kohën e planifikuar dhe të rregulluar me ligj. Në emër të KQZ-së kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve në zbatimin e masave mbrojtëse sipas rekomandimeve të institucioneve shëndetësore”, deklaroi zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në garë për të parin e Podujevës, për një mandat njëvjeçar, janë Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës.

Zgjedhjet në Podujevë, ishin paraparë të mbaheshin më 15 mars, por për shkak të përhapjes së koronavirusit, ky proces u pamundësua.

Për dallim prej Podujevës, në Mitrovicën e Veriut garojnë katër kandidatë për kryetar komune.

Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvedosje, Millan Radojeviq nga Lista Serbe, Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Dushan Millunoviq, i cili është kandidat i pavarur.

Podujeva mbeti pa kryetar pasi Agim Veliu u emërua Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti.

Kurse Mitrovica e Veriut mbeti pa kryetar më datën 3 qershor, kur u votua Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, mori dy pozita, atë të zëvendëskryeministrit dhe mori në udhëheqje Ministrinë e Pushtetit Lokal.

Rakiq ishte kryetar i Mitrovicës së Veriut për dy mandate.