Kosova

KQZ: Do të veprojmë në përputhje me vendimet e PZAP-it

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka pranuar sot vendimet e PZAP-së, lidhur me ankesat e disa subjekteve politike për mos certifikimin e tyre për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë para mediave se KQZ do të veprojë në përputhje me vendimet e PZAP-it dhe Gjykatës Supreme.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar vendimet nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, përmes së cilave vërtetohen vendimet e KQZ-së. KQZ do të veprojë në përputhje me vendimet e PZAP, do të presim sepse në fund të tyre ka këshilla juridike, sipas të cilave është e lejuar ankesa në Gjykatën Supreme”, ka thënë Elezi.

Elezi ka shtuar se ju takon palëve që janë ankuar në PZAP ëpr të vazhduar apo jo ankesën në Gjykatën Supreme brenda afatit 24 orësh.

Ai ka shtuar se pastaj Gjykata Supreme ka afat prej 72 orësh që të vendos lidhur me ankesat që dorëzohen në këtë institucion.

PZAP-ja me anë të vendimi ka vendosur të mos certifikoj kandidatët për deputetë të cilët janë të dënuar në tri vjetët e fundit. Në mesin e atyre që nuk është certifikuar është edhe kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti.