OPINION

Homazh: Për Njeriun e arsimit shqip, prof. Frrok Gojani

Shkruan: Lekë MRIJAJ
Prof. Frrok Gojani ishte themelues dhe drejtor i parë i Shkollës së Mesme “Luigj Gurakuqi” në Klinë njëkohësisht ishte profesor (edhe i imi në Shkollën e Mesme ) i diplomuar i gjuhës dhe letërsisë shqipe ku me një zell e profesionalizëm të paparë për mbi katër dekada edukoi shumë breza nxënësish në tempullin e dijes në qytetin e Klinës.

Emri i këtij pishtari të dijes e të arsimit është i njohur, jo vetëm në trevën e Lugut të Drinit – Komunën e Klinës por edhe në Lugun e Baranit, Leshanit e Dukagjinit, i cili një jetë ia kushtoi këtij misioni të arsimimit dhe edukimit të shumë brezave ndër shqiptar. Vërtetë ishte një njeri karizmatik dhe vlerëmadh edhe në rrafshin intelektual e pedagogjik dhe burim frymëzimi jo vetëm për bashkëkolegët e tij, por edhe të intelektualëve, nxënësve dhe mbarë qytetarëve të Klinës për të cilin krenohen dhe do të mbetët në mbamendjet e klinasve e Dukagjinit.

Vlen të potencohet se ai veç tjerash u angazhua në formimin dhe pasurimin e bibliotekës së qytetit të Klinës dhe asaj shkollore, me qëllim që librat shqip t’i shfrytëzonin pedagogët edhe nxënësit klinas dhe të tjerë.

Prof. Frrok Gojani, me jetën e tij modeste dhe me virtytet e tij të larta pedagogjike dhe humane, do të përkujtohet me respekt të plotë nga miqtë, bashkëpunëtorët dhe ish–nxënësit, sepse personi dhe personaliteti i prof. Gojanit me një stil jetësor të veçantë do të bahet mend për të mirë, e kundër të keqes. Për kontributin e madh që dha në fushën e arsimit kombëtar në Klinë, për nder të kontributit e respektit për punën dhe angazhimin e tij të palodhshëm në zhvillimin e arsimit shqip në Komunën e Klinës, Kuvendi-Asamblistët e Komunës së Klinës dy vite me parë për profesorin e mirënjohur lugdrinas e dukagjinas, ka themeluar mirënjohjen me emrin “FRROK GOJANI”, që është një mirënjohje e lartë në lëmin e arsimit të Komunës së Klinës, e cila ka filluar të ndahet që nga viti 2019 e që do të ndahet për çdo vit për mësuesin më të mirë të qytetit pikërisht me rastin 7 Marsit – Ditës së Mësuesit Shqiptar.
Vepra e prof. Frrok do të mbetët e pavdekshme sa të ekzistoj arsimi shqip në Kosovë.

Lamtumirë prof. i ndritur. Pusho në mbretërinë e hyjnisë qiellore!!Ngushëllime familjes së ngushtë dhe të gjerë Gojani.