SPORT

Edon Maxhuni shkëlqen ndaj Serbisë, por Finlanda pëson humbje

Basketbollisti kosovar, Edon Maxhuni, ishte basketbollisti më i mirë i Finlandës të hënën mbrëma. Finlanda pësoi 75:66 nga Serbia në Espoo të Finlandës.

Maxhuni ndeshjen e mbylli me 15 pikë, gjashtë asistime, dy kërcime dhe një top të rrëmbyer. Në parket i kaloi 24 minuta. Vetëm edhe një basketbollist tjetër i Finlandës kishte pikë dyshifrore.

Ndeshja i takoi eliminatoreve për “Eurobasket 2022”.

Me një fitore e tri humbje, Finlanda është e treta në Grupin E. Prinë Gjeorgjia me katër fitore, ndërsa Serbia është e dyta me bilanc prej dy fitore e dy humbje. Në vend të katërt është Zvicra që po ashtu ka një fitore e tri humbje.

Dy xhirot e fundit luhen në shkurt të vitit të ardhshëm. Tri të parat në grup kualifikohen në Evropian.

“Plejmejkeri nga Kosova shkëlqen ndaj Serbisë. Babai i ka luajtur në ish-Jugosllavi, ndërsa ai ishte enigmë e lojtarëve të Serbisë”, ka shkruar sajti serb, “mondo.rs”.

Edoni është djali i Besim Maxhunit, ish-basketbollistit të njohur kosovar. Edon Maxhuni (22) këtë edicion po luan në Estoni.