Kosova

Sejdiu: Deklarata e sotme e Kurtit për bashkimin me Shqipërinë është heqje dorë nga kjo

Njohësi i çështjeve politike Dardan Sejdiu, ka komentuar vizitën e Emisarit Special të Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak.

Sejdiu në Rubikon në Klan Kosova tha se Kosova nuk po e merr seriozisht veten në dialog.

“Fakti që ne jemi në një cikël negociatash të kësaj natyre që nga viti 2011-të, me një ide që prej një pjese teknike shkojmë te një pjesë më përmbajtjesore e më pas në vitin 2018-të 2019-të në insistim shtesë, në 2020-tën edhe në 2021-tën me kyçjen e presidentit Trump dhe Ambasadorit Grenell, dhe tash zotëri Lajçak i cili bëri një vizitë në Kosovë”.

Ai shtoi se qëllimi i vizitës së Lajçakut, është dhënia e mesazhit për rëndësinë e këtij dialogu, duke tentuar ta dinamizojë.

“Para se të vija këtu në emision në një televizion tjetër ishte edhe zotëri Palmer së bashku me zotërinë Lajçak, duke i shpjeguar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë të koordinuara “dorë për dore” kështu disi u shprehen në trajtimin e të dialogut dhe përfundimit të suksesshëm të dialogut. Kishte dallime në nuanca në mes të fjalëve që i përdorte zotëri Lajçak dhe fjalëve që i përdorte zotëri Pallmer, por ishte e qartë që dhe SHBA-ja edhe BE-ja, janë tepër të interesuara që procesi të dinamizohet, që dialogu të jetë temë e rëndësishme për qeverinë në ardhje dhe po besoj që edhe ardhja e zotëri Lajçak ka pasur për qëllim këtë mesazh”.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës theksoi se kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, me deklaratën e sotme lidhur me bashkimin me Shqipërinë, është një taktizim ose heqje dorë nga kjo.

“Dhe unë besoj që edhe njëra deklaratë e zotëri Kurti, ka të bëj edhe me dialogun me Serbinë. Deklarata e zotërit Kurti që “Kushtetuta e kësaj republike nuk parasheh bashkim kombëtar, nuk lejon bashkim kombëtar”, është si me thënë një “taktizim” një heqje dore një mesazh, i cili i shkon përshtati këtij konstrukti të dialogut”.

Sipas tij Kurti nuk do të jetë një kryeministër i cili do ta refuzojë dialogun.

” Unë do të doja që zotërinë Kurti, që ende pa marrë detyrën të jetë më stoik në qëndrimet e tij më të fortë. Nga deklarimet që i dëgjova edhe nga zotëri Kurti edhe nga zonja Osmani, kemi të bëjmë me një kryeministër në ardhje i cili nuk e refuzon dialogun. Kandidati për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, që nga fillimi i marrjes aktivisht me politikë kishte proklamuar bashkimin me Shqipërinë, si një nga kauzat e tij”.