Kosova

Deputeti i VV’së kritikon mediat pse raportuan për punësimin e xhaxhait të Glauk Konjufcës në ministri

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli i ka kritikuar mediat për raportimin se xhaxhai i Glauk Kojufcës, Rabit Konjuifca është emëruar këshilltar i ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ai është munduar që ta arsyetojë këtë emërim, duke thënë se këshilltarët politik përveç se duhet të jenë punëtorë, ata duhet të jenë edhe njerëz të besueshëm.

Më tutje Dugolli shtoi se aty nuk mund të punësohen njerëz të partive tjera politike.

“Këto poste janë politike dhe njerëzit që bëhen pjesë në këto kapacitete, përveçse duhet të jenë profesional, të ndershëm e punëtor, duhet të jenë të besueshëm edhe politikisht. Mos po u dashka që këshilltar politik të kabineteve të vendosen njerëz nga taborët tjera politike si PDK, LDK, AAK…?”, ka shkruar ai në një postim në “Facebook”.

Mediat në Kosovë në vazhdimësi kanë raportuar për punësimet familjare të bëra nga gjitha partitë në të gjithë Qeveritë e kaluara. Megjithatë deputetit të VV’së, Enver Dugollit, po i pengojnë raportimet për punësimin e xhaxhait të Glauk Konjufcës në Ministrinë e Mbrojtjes.

Postimi i plotë:

Shumë zhurmë për asgjë

Disa portale paskan filluar të krijojnë “lajm” se si ministri i Mbrojtjes e paska marr këshilltar politik një të afërm të kryeparlamentarit Konjufca.

E paskan “zbuluar” ujin e nxehtë.

Rabit Konjufca është ish pjesëtar i UÇK-së,TMK-së dhe FSK-së. Pas pensionimit u shqua si aktivist i LV-së, dhe si njeri profesional dhe i ngritur edhe anëtar i Komitetit Profesional për Mbrojtje dhe Siguri dhe tani natyrshëm këshilltar politik në kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Eksperienca, dija dhe ndershmëria e tij janë të vlefshme për Ministrin Mehaj dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Është për keqardhje kjo tendenca e disa portaleve kur mundohen të krijojnë mjegull kur situata është e çiltër kristal.

Le ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë (edhe pse besoj e dijnë), se këto poste janë politike dhe njerëzit që bëhen pjesë në këto kapacitete, përveçse duhet të jenë profesional, të ndershëm e punëtor, duhet të jenë të besueshëm edhe politikisht.

Mos po u dashka që këshilltar politik të kabineteve të vendosen njerëz nga taborët tjera politike si PDK, LDK, AAK…?