SPORT

Challandes për UEFA-n: I ngazëllyer që do të luajmë kundër ekipeve të forta

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, ka qenë protagonisti i tretë në intervistat e realizuara nga UEFA javë më parë në prag të fillimit të ciklit kualifikues “Euro 2020”.

Gjatë kësaj interviste, Challandes ka folur për periudhën kur e mori përsipër drejtimin e Kombëtares së Kosovës e deri në periudhën e tanishme, si dhe për parashikimet e tij për ndeshjet kualifikuese për “Euro 2020”.

“Nga njëra anë, jam i kënaqur, sepse jam i ngazëllyer që do të luajmë kundër ekipeve më të forta, me reputacion më të mirë: Anglia, Republika Çeke, Bullgaria. Këto janë vende të forta të futbollit, të njohura në të gjithë Evropën dhe jam i lumtur që Kosova do të luajë në të njëjtin nivel me këto skuadra”, ka thënë Challandes.

Ai, po ashtu, ka thënë se është i vetëdijshëm, me suksesin që ka pasur deri më tani Kosova, federata, tifozët në përgjithësi, ose mediat, janë duke u marrë seriozisht me këtë.

“Kjo është diçka që vlen edhe për lojtarët, unë shpresoj se nuk do të ndodhë në të ardhmen e afërt por ne duhet të mësohemi edhe të humbasim, dhe të marrim veten përsëri më pas dhe të merremi me pikat e dobëta. Gjërat kanë qenë shumë të mira deri më tani për Kosovën”, shtoi ai.

“Tani ne jemi ngjitur në një divizion në Ligën e Kombeve dhe ne duhet të merremi me këtë dhe të bëjmë më të mirën”, ka thënë ndër të tjera Challandes në këtë intervistë.