Kosova

Çfarë bëri Arben Vitia prej se u riemërua ministër i Shëndetësisë?

Janë bërë 23 ditë që kur Arben Vitia mori përsëri besimin e Kurtit për të udhëhequr me Ministrinë e Shëndetësisë. Megjithëse nuk janë bërë asnjë muaj që nga marrja e detyrës, aktivitetet e ministrit Vitia nuk kanë qenë të shumta, ndërsa kritikat po, kryesisht për masat antiCovid. Me to, Vitia ndali punën e gastronomisë dhe shkaktoi dalje masive të kosovarëve në Shqipëri gjatë fundajave. Për momentin në Kosovë, 902 pacientë janë të shtrirë në spitalet rajonale e në klinikat COVID të QKUK-së, 45 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Më 22 mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Qeverinë e re në krye me Albin Kurtin. Po në këtë ditë, Kurti e konfirmoi se në kabinetin e tij do të rikthehet Arben Vitia, në pozitën e ministrit të Shëndetësisë.

Ndërsa, një ditë pas, ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i dorëzoi detyrën ministrit aktual, Arben Vitisë.

Me të marrë detyrën, Vitia filloi me emërime e me shkarkime.

Vendimi i parë i marrë nga Vitia po në ditën që mori detyrën e ministrit, ishte kthimi në punë i ish-sekretarit të kësaj ministrie, Naim Bardiqit, i cili ishte shkarkuar nga ish-ministri Armend Zemaj.

Ndërsa, Vitia mori vendim edhe për shkarkimin nga puna të 70 punëtorëve mbështetës të kësaj ministrie.

Përveç shkarkimeve ai më 26 mars ka anuluar konkursin e hapur nga ish-ministri, Armend Zemaj, për staf mjekësor.

Ndërsa dy ditë më pas, më 28 mars Kosova u furnizua me 24 mijë vaksina Anti-COVID nga COVAX.

Me këtë rast, Vitia kishte deklaruar se arritja e vaksinave të para në Republikën e Kosovës shënon fillimin e një fazë të re në luftën kundër virusit COVID-19.

Megjithatë, përkundër furnizimit me vaksina, Vitia u kritikua për keqmenaxhim me pandeminë, për shkak të numrit të lartë të rasteve të reja të infektuara me virus, e manifestimit të masave të reja, të cilat po kritikohen shumë.

Ndërsa, për gjendjen e krijuar me pandeminë, më 1 prill, Vitia, kishte pritur në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett.

Në këtë takim, Ministri Vitia dhe Ambasadori Kosnett kishin diskutuar për situatën rreth COVID-19 në Kosovë, të cilën e kishin vlerësuar shqetësuese.

Në këtë ditë, Vitia kishte zhvilluar po ashtu një takim virtual me Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe për Maqedoninë e Veriut, në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore dhe përfaqësues të tjerë të këtij misioni.

Ndërsa, po në këtë ditë, Ministria e Shëndetësisë dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS), nënshkruan Marrëveshje për implementimin e projektit të përgjigjes emergjente ndaj COVID-19 në Kosovë, që buron nga Marrëveshja e financimit me bankën e Këshillit të Evropës.

Pas takimeve të mbajtura, Vitia ka shqyrtuar situatën e krijuar me virusin COVID-19, me ç’rast më 6 prill është vendosur për ashpërsim të masavembrojtëse, përfshirë këtu kthim të orës policore, e mbyllje.

Për vendimet e mara pati kritika në drejtim të ministrit Vitia, derisa u paralajmëruan edhe masa e protesta nga gastronomët.

Pas ashpërsimit të masave, Vitia ka vazhduar me vizita në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku po kryhet vaksinimi kundër COVID-19, nga ku edhe ka kërkuar respektim të masave mbrojtëse.

Megjithatë, sot, në ditën e 23’të me Arben Vitinë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë e me masat e reja kundër COVID-19, në spitalet rajonale dhe në klinikat COVID të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë të shtrirë 902 pacientë, 735 prej të cilëve të infektuar me COVID-19, ndërsa 37 në gjendje të rëndë