OPINION

Çdo gjë mund të jetë rokenroll, President!

Shkruan: Kimete BERIShA
Atëherë kur Albini ‘e ka dëgjuar’ Bjello Dugmen, bendi këndonte edhe shqip;

E rrokte mandolinën,
i këndonte vajzës më të mirë,
e luste të vishej me fustanin më të bukur,
të dukej porsi hyjneshë,
I dhuronte lule bozhuri,
E këshillonte të kishte kujdes kur ta kapërcente kapigjikun, se mund ta griste fustanin…
Ishte i kujdesshëm djali i dashuruar shqip!
Ti sot përulesh para varrezave, llaskuçon varr më varr, para politikanëve serbë që i quajnë ushtarët e UÇK-së ‘terroristë’,…
dhe kot s’të ndihmon çiftelia të jesh burrë i mirë.
Çiftelia nuk të nxjerr nga situata!
Se për neve si shtet është turp ta kemi një President që vetes ia lejon luksin të përqafohet me Putinin, kurse mendon se është vepër antikombëtare ta dëgjosh Tchaikovsky-n, ta lexosh Dostojevskin e Turgenjevin, t’i pëlqesh ata, sepse janë ‘armiq’ rusë.
Çfarë të keqe ka ‘Marshi i fëmijëve siamez’.
Të kënaq ‘Mesnata në Moskë’.
Armikun mos e lyp në muzikë.
Ti që kur hyre në politikë ishe aq nhall’, sa që me të pas zë një erë e lehtë në rrugë t’kish sjell si tornado, të kam parë…e tash Ti që je rritur me ‘Srečni ljudi’, po kërkon tradhtarë të artit dhe humorit, muzikës dhe vallëzimit.
Po më zhgënjen!
P.S. Jo një herë, më ka ndodhur disa herë që ‘viktimat’ e shkrimeve të mia, të ‘dashurohen’ në mua.
Një shkrimtar tashmë i ndjerë, i magjepsur me shkrimin tim ‘kundër’ tij, më ka thënë:
‘Shkrimi që më ka pëlqyer më së shumti në jetë, është shkrimi që e ke shkruar kundër meje’.
Pra, ndodh që armiku nuk i ka të gjitha të kqijat, artin mund ta ketë të mirë.
Po nuk po merr vesh ti! Kish mjaftu me pas lexu veç Maxim Gorkyn, nuk kishe folë si i shkretë, nuk e kishe lyp armikun gjithkund, edhe në notat muzikore.
Armiku i vetvetes sot je Ti, s’të ndihmon që Albini ‘e ka’ dëgjuar ‘Bjelo Dugmen’.
Edhe unë e kam dëgjuar ‘Ako ima boga, do të digjesh në ferr’ dhe më ka shti me kajt, por s’më ka bë tradhtare.
Çdo gjë mund të jetë rokenroll, përveç teje, President!