A po rrezikohet Kosova nga e djathta ekstreme evropiane?

Suksesi që partia e qendrës së majtë italiane, “Partito Demokrato” arriti në zgjedhjet e tetorit atje, bëri që shtypi italian të besonte se forcat e krahut të djathtë tashmë ishin mundur.

Redaktori i gazetës italiane La Repubblica, Maurizio Molinari, theksoi se rezultatet e dobëta të partive të djathta si Lega, Fratelli d’Italia dhe Moviemnto 5 Stelle erdhën si pasojë e krizës që ka shkaktuar pandemia e COVID-19 e cila edhe ndryshoi prioritetet qytetare.

Ai thotë se qytetarët italianë nuk janë kundër “pasaportës së vaksinimit”, të promovuara nga e djathta ekstreme, por që i besojnë qeverisë së udhëhequr nga Draghi.

Ndërsa, më 9 tetor, vetëm pak ditë pas zgjedhjeve italiane, mbi dhjetë mijë njerëz u mblodhën në Romë për të protestuar kundër futjes së “pasaportës së vaksinimit”.

Manifestimi u pasua nga trazirat që shpërthyen në pjesë të ndryshme të qytetit, ndërsa qindra aktivistë të së djathtës ekstreme bastisën selinë e CGIL, që është një sindikatë tradicionalisht e majtë.

Ngjarja u krahasua me sulmin në Capitol Hill pas zgjedhjeve në SHBA. Një episod i ngjashëm ndodhi më parë në Beograd kur protestuesit e së djathtës ekstreme sulmuan parlamentin më 7 korrik 2021.

Videot në YouTube shfaqin protestuesit që hyjnë në ambientet e CGIL pa ndonjë problem, ndërsa një ditë pas përplasjeve, kreu i partisë së ekstremit të djathtë Forza Nuova, Roberto Fiore u arrestua me njëmbëdhjetë militantë të tjerë të ekstremit të djathtë të cilët u akuzuan për organizimin e sulmit.

Pjesëmarrja masive në trazirat e Romës kundër “pasaportës së vaksinimit”, tregon se grupet e ekstremit të djathtë nuk e kanë humbur konsensusin, teksa numri i personave që kanë sulmuar ndërtesën e CGIL, kalon tre mijë.

Kjo shifër, sipas mediave atje, është e madhe duke marrë parasysh se protestat e organizuara nga “Forca e Re”, dhe organizatat e tjera ekstremiste rrallë kanë tërhequr më shumë se 100 ose 200 njerëz.

Ngjarjet e fundit tregojnë se e djatha ekstrem po përpiqet që të konsolidojë lidhjet në rajon dhe kryetari i “Forcës së Re”, Roberto Fiore, mund të luajë rol kyç në këtë proces.

Fiore është kryetar i organizatës transnacionale të ekstremit të djathtë, Aleanca për Paqen dhe Lirinë.

Përpara shpërthimit të trazirave në Romë, në qendër të Beogradit është mbajtur kongresi i Aleancës për Paqen dhe Lirinë. Kjo ngjarje u organizua nga Misa Vaqiç, e cila është udhëheqëse e partisë ultranacionaliste serbe, Srpska Desnica.

Në këtë takim, teksa diskutonin për politikat ndërkombëtare, aktivistët e së djathtës ekstreme shprehen admirim për njohjen e të drejtave të Serbisë në Kosovë.

Kryetari i partisë italiane “Forca e Re”, Roberto Fiore, tha se Serbia nuk është e vetme në luftën e saj, siç deklaroi ai, kundër “fuqisë së rreme të Kosovës” dhe se e gjithë Evropa nacionaliste e mbështetë këtë gjë.

Siç deklarojnë mediat italiane, Aleanca për Paqen dhe Lirinë e ka vënë Kosovën në krye të agjendës së saj, dhe sipas tyre, takimi tjetër i APL-së është caktuar për mesin e nëntorit në pjesën veriore të Kosovës, në mbështetje të kërkesave të nacionalistëve serbë.

Go to TOP