Bota

147 vrasje për pak ditë, policia futet në grevë…

Bandat kriminale kanë marrë guxim në një rajon të Brazilit, për shkak se policia ushtarake atje është futur në grevë për disa ditë.

Autoritetet braziliane kanë thënë se 147 persona janë vrarë vetëm në rajonin verilindor, Ceara, në pesë ditët e para të grevës së policisë ushtarake, pjesëtarët e së cilës po kërkojnë rritje të pagave.

Kjo shifër e vrasjeve është pesë herë më e lartë se mesatarja, pavarësisht se qeveria ka dërguar ushtarë për të patrulluar në rrugët e këtij rajoni.

Shpërthimi i dhunës ka bërë që disa karnavale tradicionale të anulohen. Policët e nisën grevën më 19 shkurt me kërkesën e vetme që të paguhen më shumë.

Sipas ligjeve braziliane, policët nuk kanë të drejtë të hyjnë në grevë dhe një gjykatë mori vendim që pjesëtarët që nuk e respektojnë këtë rregull mund të burgosen.

Më shumë se 200 policë grevistë janë suspenduar nga puna ditëve të fundit, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Të hënën, ministri i mbrojtjes, Fernando Azevedo Silva, dhe ministri i drejtësisë, Sergio Moro, shkuan në këtë rajon për ta parë më mirë gjendjen e sigurisë. “Situata tash është nën kontroll”, tha ministri Moro.