EKONOMI

140 gjoba për tregtarët që mashtruan konsumatorët

Tregtarët të cilët janë duke shfrytëzuar vendosjen e masës prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë e të Bosnjë e Hercegovinës janë vendosur nën llupën e autoriteteve. Udhëheqësit e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës kanë paralajmëruar për gazetën “Zëri”, se i kanë vënë vetes përgjegjësi për t’i parandaluar ndërmarrjet, të cilat kanë shfrytëzuar masën për t’i ngritur çmimet në treg.

Ndërkohë në anën tjetër kryeinspektori i Inspektoratit të Tregut, Lulzim Syla, ka bërë të ditur se deri më tani janë shqiptuar 140 gjoba ndaj bizneseve për mashtrim në përgjithësi të konsumatorëve, ku nuk përjashtohen as mashtrimet me ngritje të çmimit të bukës, shkruan Zeri. 

“I kemi 140 gjoba të shqiptuara sivjet, kryesisht për mashtrim të konsumatorit. Ka pasur edhe për gjëra tjera që kemi lëshuar edhe aktvendime. Gjobat janë mandatore që ne i japim deri në 1000 euro. Ne i dërgojmë edhe në gjykata.  Çdo ditë jemi duke i realizuar inspektimet. Dikush shkon në Pejë, në Gjakovë, në Ferizaj. Kemi inspektime edhe në furra të bukës gjithsesi, por edhe në dyqane që krahasojmë çmimet rafte – arkë”, ka treguar kryeinspektori Syla.

Shfaq më shumë