Kosova

14-vjeçarja nga Gjakova largohet nga shtëpia, shkon të bashkëjetojë me të dashurin 24 vjeç

Një burrë nga Gjakova ka raportuar në Polici se vajza e tij e mitur është larguar nga shtëpia dhe është duke bashkëjetuar me një person.

Express mëson se viktima është e moshës 14-vjeçare, derisa i dyshuari për bashkëjetesë me të është 24-vjeçar.

Sipas burimeve të Gazetës brenda Policisë së Kosovës, viktima dhe i dyshuari të martën janë parë bashkë në qytet, ku janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim.

Pas intervistimit, e mitura ka kërkuar të kthehet te familja e saj.

“Në lidhje me rastin, është marrë njësiti i hetimeve rajonale ku ka bërë intervistimin e viktimës në prezencën e prindit dhe pas intervistimit viktima ka shprehur dëshirën që të shkojë tek familja e saj. e njëjta ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore”, kanë deklaruar për Express burime nga Policia.

14-vjeçarja, me urdhër të prokurorit do të dërgohet të mërkurën për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Ndërkaq i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se rastin e ka lajmëruar babai i të miturës.

“Bashkësi jashtëmartesore me person nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet- Fsh. Rogovë, Gjakovë 02.03.2021 – 19:00. Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se vajza e tij viktima femër kosovare (e mitur) është larguar nga shtëpia dhe dyshon se është larguar me një të dyshuar kosovar. Njësia përkatëse policore është duke hetuar rastin”, bëhet e ditur në raportin e Policisë.