14 organizata nisin peticionin “për shpëtimin e arsimit”

14 organizata të shoqërisë civile kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve të peticionit “për shpëtimin e arsimit”.

E për të proceduar këtë peticion kërkohen 10 mijë nënshkrime, me ç’rast përfaqësues të shoqërive civile kërkuan ndihmë edhe nga subjektet politike.

Egzon Gashi, drejtor i organizatës joqeveritare “Teach For Kosova”, tha se janë të shqetësuar me gjendjen e arsimit dhe reagimin joadekuat të Qeverisë, sidomos pas rezultateve të PISA-s.

“Pas rezultatit të testit ‘PISA’ ne jemi të shqetësuar me rezultatet dhe jemi të shqetësuar me reagimin jo adekuat nga qeveria. Si pasojë e kësaj ne kemi hartuar disa politika për veprime që duhet ndërmarrë në sistemin e arsimor. Ne sot do të fillojmë mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve”, tha ai.

“Gjithë se bashku erdhëm te përfundimi që duhet me marrë veprime demokratike dhe që janë të parapare me kushtetuta dhe me ligjet e Kosovës. Ne atë drejtim, sot po e fillojmë mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve nga qytetarët e Kosovës përmes këtij peticioni. Kërkojmë që kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, qe nënkupton të gjitha partitë pa asnjë dallim, të marre veprime konkrete për reformimin e arsimit në Kosovë”, tha tutje ai.

Jehona Gjurgjeala, drejtore ekzekutive e organizatës “Toka”, përmendi disa çështje për përmirësimin e cilësisë në arsim, që sipas saj, janë urgjente.

“Riorganizimi i shkollave me më pak se 60 nxënës, Para 10 viteve, i kemi pesë 120 mijë nxënës me shume. Numri ka ra, edhe po vazhdon me ra. Janë 340 klasa në Kosovë që kanë pesë e më pak nxënës. Është mekat qe t’i leme ata në këtë gjendje. Riorganizimi i shkollave do të ndikonte në rritjen e cilësisë së arsimit. Nxënësit kanë nevojë për bashkëmoshatarë dhe një relacion te shëndoshë me mësimdhënës. MAShTI dhe komunat duhet të fillojnë mbylljen e shkollave me pak se 60 nxënës sa më shpejtë”, deklaroi ajo.

Go to TOP