Bota

13 shtete afrikane në hall me karkalecat

Kombet e Bashkuara kanë kërkuar ndarjen e fondeve shtesë për ta parandaluar pushtimin prej karkalecave që po e dëmtojnë bujqësinë në disa pjesë të Afrikës dhe Azisë.

Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e OKB-së ka bërë të ditur se Afrika Lindore mund të ballafaqohet me krizë ushqimi, po qe se nuk vihet nën kontroll shumimi i karkalecave, raporton KTV.

Për këtë arsye, trupi më i madh botëror ka kërkuar një fond prej 62 milionë dollarësh.

Së paku 13 shtete janë pushtuar prej këtyre insekteve, përfshirë Jemenin, Iranin, Pakistanin dhe Indinë. Numër i madh karkalecash është evidentuar edhe në Kuvajt, Bahrejn dhe Katar.

Shtetet që kanë pësuar më së shumti janë Kenia, Etiopia dhe Somalia. Këto shtete kanë vlerësuar se në akëcilin prej tyre së paku 100 mijë hektarë tokë duhet të spërkaten me insekticide.

Që prej janarit janë shpenzuar 138 milionë dollarë në spërkatjen e tokave nga ajri dhe toka. Raportet nga Afrika dhe Azia kanë treguar se deri në muajin qershor, numri i karkalecave mund të rritet 400 fish.