Kuriozitet

12 lloje të shpendëve të ujit në liqene

Në kuadër të aktiviteteve për monitorimin dhe inventarizimin e biodiversitetit, gjatë fundjavës së kaluar (11-12.01.2020) Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës me ndihmën e vullnetarëve nga “Wildlife Albanian Photographers – WAPH”, “Kosova Wildlife Care – KWC” si dhe ekspert e dashamir të natyrës kanë kryer për herë të dytë me radhë në Kosovë Censusin Ndërkombëtar të Shpendëve të Ujit.

Ky aktivitet i realizuar në kuadër të IWC 2020 (International Waterbird Census) që organizohet në nivel botëror, që prej 54 vitesh, nga Wetlands International përfshiu pothuajse të gjitha vendet ku ka prezencë të baseneve ujore.

Duke marrë parasysh të ftohtit e këtyre ditëve Liqeni i Livoqit dhe ai i Përlepnicës ishin plotësisht të ngrira andaj edhe nuk u vizituan fare. Liqeni i Vërmices që ishte thuajse pa ujë për shkak të rënies së nivelit të ujit, përveç një pjese të sipërfaqeve ujore të mbetura që ishin të ngrira nuk u vizitua gjithashtu. Liqeni i Vasileves si dhe Ligatina e Hencit edhe pse të ngrirë janë vizituar nga ekipa e terenit me ç ‘rast janë evidentuar vetëm disa lloje te shpendëve jo-ujore.

Të vetmet sipërfaqe, pjesërisht të ngrira, ku kishte shpendë uji ishin Liqeni i Badovcit, Liqeni i Batllaves, Liqeni i Radoniqit si dhe liqeni i vogël përreth termocentralit të Obiliqit (në afërsi të Deponisë së Mbeturinave në Mirash) ku edhe strehohej një numër i madh i shpendëve të ujit.

Nga rezultatet e mbledhura mund të konstatohet se u vrojtuan 12 lloje të shpendëve të ujit me një numër total prej gjithsej 9.334 individësh. Shumica e shpendëve të ujit të numëruar me këtë rast ishin Anas platyrhynchos me 7315 individë, Anas crecca me 1330 individë dhe Chroicocephalus ridibundus me 453 individë që përbënin së bashku 97,49% të numrit të përgjithshëm të shpendëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.