Rajoni

Vulin: Nëse rruga për BE kalon përmes Kroacisë, më mirë mos të udhëtojmë

Është duke vazhduar ende debati mbi çështjen e Kosovës, mes ministrit të Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, dhe ministrit të Jashtëm kroat, Gordan Grlic Radman.

Pas reagimeve të këtij të fundit, është Aleksandar Vulin ai i cili iu është përgjigjur deklaratave të diplomatit kroat, duke cilësuar pretendimet e tij të mjerueshme dhe hipokrite.

“Ministri Radman është si një gjahtar i pasuksesshëm në atë shakanë me ariun”.

”Më lejoni ta them përsëri – Kroacia u krijua nga shkëputja e dhunshme, e para në 1941, me shpërbërjen e Mbretërisë së Jugosllavisë, pastaj me një shpërbërje tjetër të Jugosllavisë në 1991 Kosova e njohu atë në 2008 dhe kështu u përpoq të shpërbëjë Serbinë, kështu që unë nuk do të hesht se sa e mjerueshme dhe hipokrite është kur Ministri Radman betohet për parimin e pandryshueshmërisë së kufijve”.

”Nëse Kosova është e pavarur sepse është një ‘realitet’, cili është realiteti në Republika Srpska?”, pyeti Vulin, duke iu përgjigjur sulmeve të përsëritura të shefit të diplomacisë kroate ndaj Serbisë.

Vulin deklaroi se ai ende po pret një përgjigje në pyetjen pse copëtimi i Serbisë është një kontribut për paqen dhe bashkimi i serbëve është një kontribut për trazirat në Ballkan.

Ai tutje deklaroi se është më mirë që Serbia të mos anëtarësohet kurrë në Bashkimin Evropian, nëse rruga drejt saj çon përmes Kroacisë dhe kushteve të saj.

“Nëse kushti që Serbia të bëhet anëtare e BE është që ne të trajtojmë komplekset kroate me heshtjen dhe poshtërimin tonë, atëherë është më mirë të mos jemi kurrë anëtare të BE”.

‘’Nëse rruga për në BE çon përmes Kroacisë dhe kushteve të saj, është më mirë të mos udhëtosh’’.