Kosova

Procedurat pas vendimit të PZAP’së, që hodhi poshtë ankesën e VV’së

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka vendosur sot për nëntë ankesat e shtatë subjekteve politike për sa i përket moscertifikimit nga ana e KQZ’së për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Të gjitha ankesat u miratuan në mënyrë të pjesërishme, teksa në vendimet e PZAP’së, u vertetua se kandidatët e partive politike që kanë denime të plotfuqishme në tri vjetët e fundit nuk u certifikohen. Në mesin e tyre është edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti me pesë anëtarë të partisë. Poashtu edhe AAK’ja mbeti pa katër kandidatë në listë, teksa Nisma me gjithsej 12 të tillë.

Pa disa kandidatë në lista zgjedhore mbetën edhe partitë minoritare.

Kjo për shkak që në listat e partive politike nuk lejohet më zëvendësimi i kandidatëve për shkak të kalimit të afatit ligjor për ta bërë një gjë të tillë.

E për vendimin e PZAP’së, ky institucion njoftoi se palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat kohorë 24 orë në Gjykatën Supreme.

“Kundër këtij vendimi është e lejuar ankesa sipas nenit 118 par.4 të LZP-së, në Gjykatën Supreme të Kosovës, brenda njëzetekatër (24) orëve nga momenti i marrjes-pranimit të këtij vendimi”, thuhet në vendimin e PZAP’së.

Ndërsa afati për shqyrtimin e ankesave nga Gjykata Supreme është 72 orë.

“Afati për shqyrtimin dhe vendosjen e këtyre ankesave nga Gjykata Supreme e Kosovës është 72 orë nga momenti i dorëzimit të këtyre ankesave nga palët në Gjykatën Supreme të Kosovës”, thuhet më tutje në njoftim.

Gjykata Kushtetuese në dhjetor ka publikuar aktgjykimin, me të cilin e ka shpallur të vlefshme një ankesë të VV’së dhe e ka rrezuar qeverinë e Avdullah Hotit, sepse atë e kishte votuar një deputet që kishte dënim të formës së prerë.

Kushtetuesja vendosi që të bie qeveria dhe më të mos lejohen të garojnë për deputetë kandidatët që kanë dënime.

KQZ’së i janë dorëzuar të dhënat, sipas të cilave, 47 deputetë nga të gjitha subjektet, janë të dënuar në këto tri vjet.

Disa prej subjekteve kanë pranuar, duke i zëvendësuar kandidatët, por disa të tjera, si VV’ja e Nisma kanë kundërshtuar zëshëm të bëjnë një gjë të tillë.