SPORT

Pesë vjet nga pranimi i Kosovës në UEFA, Ademi: Kemi bërë progres të madh

Janë bërë pesë vjet prej se Kosova është bërë anëtare e familjes evropiane të futbollit (UEFA).

Data 3 maj 2016 është data kur edhe futbolli kosovar doli nga izolimi i disa dekadave falë angazhimit të drejtuesve të Federatës Futbollit të Kosovës, në krye me legjendën tani më të ndjerë, Fadil Vokrri.

Me këtë rast kreu i FFK-së, Agim Ademi, i është drejtuar të gjithë futbolldashëve lidhur me këtë ditë të rëndësishme.

Ademi tha se anëtarësimi në UEFA ka bërë që Kosova të bëjë progres të madh në futboll.

“Gjatë këtyre pesë vjetëve si pjesë e UEFA-s kemi bërë progres të madh në të gjitha aspektet dhe jemi dëshmuar si storie suksesi. Tanimë FFK gëzon respektin dhe simpatinë e UEFA-s dhe të gjitha federatave simotra. Për një cikël të shkurtër kemi arritur ta dëshmojmë potencialin tonë, si me ekipet kombëtare, po ashtu edhe me klubet, por edhe me masivizimin e futbollit tek të rinjtë dhe tek femrat”.

“Anëtarësimi në UEFA pashmangshëm na ka ndihmuar edhe në përmirësimin e infrastrukturës, ku tashmë janë duke u realizuar shumë projekte, derisa në bashkëpunim me institucionet qendrore dhe ato lokale besojmë se do të bëjmë edhe më tepër në vitet e ardhshme”.

“Jemi me fat që kemi një rini që është e dhënë pas futbollit, andaj duhet ta shfrytëzojmë talentin dhe potencialin e saj, duke ia krijuar kushtet e nevojshme për lojën më të popullarizuar jo vetëm tek ne, por në mbarë rruzullin tokësor. Gjithashtu jemi të bekuar që kudo në Evropë kemi talente. Ata çdo herë do të jenë të mirëseardhur për të kontribuar për atdheun e baballarëve të tyre dhe për ta ngritur sa më lart nivelin e ekipeve zinxhirë të kombëtares sonë”.