SPORT

Conte: S’dua të flas për Ibran, dihen vlerat e tij

Beteja për titullin kampion mund të luhet mënjanë për pak momente, por jo derbi i Milanos, pasi Interi e Milani do të përballen nesër në Kupën e Italisë, në një sfidë që vlen kalimin në gjysmëfinalen e këtij kompeticioni.

Tekniku zikaltër, Antonio Conte doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku vlerësoi maksimalisht kuqezinjtë dhe Kupën e Italisë, ndaj u bëri thirrje futbollistëve të tij që të kalojnë me sukses një tjetër provë grupi e karakteri.

“Luhet për Kupën e Italisë, një kompeticion që e vlerësojmë maksimalisht dhe përballë kemi një skuadër si Milani. Nuk dua të flas për Ibrahimovic, pasi vlerat e tij dihen, por Milani është shumë më tepër se aq. Është një skuadër që luan futboll të bukur dhe të shpejtë, ndaj nevojitet një provë skuadre për ta kaluar me sukses këtë ndeshje, pasi luhet kualifikimi”, u shpreh Conte.

Dyshja sulmuese e Interit, Lukaku-Lautaro kanë përfunduar nën akuzë, pasi nuk shënojnë prej 4 ndeshjesh dhe kjo më shumë për shkak të gabimeve në finalizim, sesa për mungesë të rasteve.

Conte pranoi se sulmuesit e tij duhet të tregohen më cinikë në rastet e krijuara, por theksoi se është shumë i kënaqur me angazhimin e tyre.

“Është e vërtetë që nuk po tregohemi cinikë sa duhet me rastet e krijuara, madje edhe në ndeshjen e parë me Milanin, e pamë veten në disavantazh të dy golave dhe më pas shënuam një e krijuam edhe mundësi të tjera, por shpërdoruam. Këto janë ndeshje ku duhet të tregohesh cinik, megjithatë ndodh që sulmuesit të mos kenë shumë fat në finalizim në momente të caktuara. Sa i përket angazhimit dhe pjesëmarrjes në lojë, Lukaku e Lautaro janë gjithmonë në maksimum dhe jam shumë i kënaqur me të dy”, tha trajneri i Interit.