Kosova

Enver Hoxhaj: Kryetari i pasur e shndërroi komunën e Mitrovicës në më të varfrën

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, derisa është takuar me strukturat e partisë së tij në Mitrovicë, ka goditur edhe kryetarin aktual të kësaj komune, Agim Bahtirin, duke thënë se i ka lënë anash qytetarët ndërsa vetë është pasuruar.

Hoxhaj, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se në Bajr dhe Kçiq të Mitrovicës, me anëtarët e PDK-së ka diskutuar për planin e Rimëkëmbjes, i cili, sipas tij, do ta nxjerrë Kosovën nga kriza në ekonomi, shëndetësi, rend dhe ligj, politikë të jashtme dhe arsim. 

Ai tha se qytetarët mitrovicas u anashkaluan nga kryetari aktual i tyre i pasur që e shndërroi Mitrovicën në komunën më të varfër.

Deklarata të ngjashme Hoxhaj pati edhe përgjatë vizitës së parafundit në Mitrovicë.

Postimi i plotë:

Nga Bajri dhe Kçiqi, me anëtarët e PDK-së diskutova për planin e Rimëkëmbjes, i cili do ta nxjerr Kosovën nga kriza në ekonomi, shëndetësi, rend dhe ligj, politikë të jashtme e arsim, të cilat u rrënuan që nga 6 tetori i vitit 2019. Edhe qytetarët e Mitrovicës u lanë anash nga kryetari i tyre i pasur që e shndërroi këtë vend në komunën më të varfër. 

Anëtarët e PDK-së, strukturat e partisë, gjithnjë kanë qenë dhe janë të vetëdijshme për sfidat e punëve e vendimeve të mëdha, si në të kaluarën ashtu edhe në të ardhmen. Kosovës i duhen njerëz të guximshëm e punëtorë!

Emrat e listës tonë, që përfaqësojnë vlera kombëtare, patriotike e demokratike, do ta rimëkëmbin vendin nga neglizhenca e keqqeverisja e vitit të fundit.