Kosova

Çka dallon Kurti nga Rugova sipas Shkëlzen Gashit?

Shkëlzen Gashi, ish-këshilltari i ish-kryeministrit Albin Kurtit, ka thënë se ai për dallim nga ish-presidenti Ibrahim Rugova është që i do krejt për vete.

Ai këtë deklaratë e bëri derisa po komentonte sloganin e sapo zbuluar të Vetëvendosjes, “Krejt dhe drejt”.

“Sendi i parë që m’u kujtua kur e pashë sloganin e Vetëvendosjes është Ibrahim Rugova në zgjedhjet e para pas luftës në Kosovë. Fryma e tanishme është e ngjashme me vitin 2000 për mua. Kur pat shkuar Rugova në një fshat të Kosovës edhe i kanë thënë se krejt fshati kanë vendosur që të votojnë për ty dhe përgjigja e tij ishte: “Ju lutem votoni edhe për të tjerët kapak sepse jemi në demokraci”. Pra, ky është dallimi kryesor mes Kurtit dhe Rugovës, sepse Kurti e do krejt. Kjo “drejt” mbetet të shihet. Por, “krejt” nuk më pëlqen dhe më shqetëson meqë jemi në demokraci. Nëse është ky kuptimi që kanë dashur t’i japin”, tha ai në Rubikon.

Gashi përsëriti se është i bindur që vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë gjithmonë të ndikuara politikisht.

“Ka boll argumente për këtë. Nëse e merr dhe e sheh profilin profesional dhe etik të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese prej se është themeluar deri më sot vjen në këtë përfundim që ata e kanë vështirë të marrin vendime profesionale dhe etike”.