EKONOMI

109 ditë pa Qeveri: Ekonomia pëson humbje milionëshe, regjistrimi i veturave plaçkit qytetarët

Pas zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit të vitit 2010, partitë politike në Belgjikë nuk ia dolën që ta formonin qeverinë për 589 ditë. Kriza të ngjashme kanë ndodhur edhe në vende të tjera dhe pasojat në ekonominë e këtyre vendeve ishin katastrofale.

Kosova nuk ka qeveri efektive që nga 19 korriku, ose tash e 109 ditë.

Ekonomistët botëror kanë alarmuar se në situata të tilla – kur ndodh ndonjë puç, revolucion apo edhe krizë konstitucionale e institucionale – vendet mund të përballen me pasoja katastrofale sa i përket rritës ekonomike.

Ani që situatat kur shteti ndodhet pa qeverisje në kohë jostabile nuk përbëjnë domosdo dështim të funksionimit të shtetit – problemet mbesin mjaft shqetësuese.

Sipas The Guardian, ekonomia amerikane kishte pësuar humbje prej 11 miliardë dollarësh shkaku i mbylljes së pjesshme të bërë për 35 ditë.

Natyrisht, situata e Kosovës ndryshon. Por, mos-certifikimi i rezultateve nga KQZ dhe pamundësia e dy partive të para, LVV e LDK për të lidhur koalicion për formimin e qeverisë së re, ndikon në masë alarmante ndaj ekonomisë vendore.

Koha është një ndër resurset më të vlefshme në ekonomi, dhe KQZ, VV e LDK, duket se po e harrojnë një gjë të tillë.

Edhe pse nuk ka matje të bërë nga ekonomistët vendorë, vlerësimet e përgjithshme janë se ekonomia e Kosovës do të dëmtohet për dhjetëra-milionë euro nga e gjithë kjo kohë pa qeverisje efektive.

Ekonomisti Mustafë Kadriaj ka deklaruar për Periskopin se zvarritja në fjalë ka rezultuar në hendek ekonomik “dhe nga e cila pasojat do t’i bartë qytetari dhe në përgjithësi perspektiva e Kosovës.

E përmendëm më herët se Kosova është pa qeverisje efektive qe 109 ditë, që nga dorëheqja e Ramush Haradinajt, dhe kjo përbën 1/3 e një viti kalendarik. Marrë parasysh rrethanën ekonomike të Kosovës që përballet me papunësi enorme prej gati 30 për qind, pabarazi të shtuar dhe informalitet të pasfiduar seriozisht [që mbërrin deri në 30 për qind], kjo bëhet një çështje alarmante.

Së fundi, Banka Qendrore e Kosovës [BQK] miratoi kërkesën e kompanive të Sigurimeve për të shtuar taksën ndaj qytetarëve të Kosovës me 36%. Ky është një vendim alarmant që do të rëndojë xhepin e qytetarëve të Kosovës.

Tashmë, sipas të dhënave nga Policia e Kosovës janë mbi 300 mijë vetura të paregjistruara e pasiguruara në Kosovë. Shtrenjtimi i mëtejmë i këtij procesi të përvitshëm vetëm sa do t’jua pamundësojë kosovarëve që t’i regjistrojnë ato – duke rrezikuar kësisoj edhe më shumë sigurinë në trafikun rrugor.

Leave a Reply

Your email address will not be published.