Kosova

1 mijë testet e marra donacion nga Serbia nuk janë përdorur asnjëherë, Kosova do të paguaj për t’i asgjësuar ato

Në muajin prill të vitit të kaluar, 1 mijë teste për COVID-19 ishin pranuar si donacion nga Serbia.

Megjithëse, këto teste nuk janë përdorur asnjëherë në vend, andaj Kosova do të duhet t’i asgjësojë ato.

E për këtë, deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu ka kërkuar llogari nga Ministria e Shëndetësisë, rrjedhimisht nga ministri Arben Vitia.

Ai e ka kritikuar atë për pranimin e këtyre testeve, duke thënë se tani Kosova duhet të shpenzoj për t’i asgjësuar ato.

“Me datë 17 prill 2020, në kohën kur ju ishit ministër i Shëndetësisë në Qeverinë Kurti 1, keni pranuar donacion 1 mijë teste për COVID-19 nga Serbia. Sipas raportimeve të udhëheqësve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, këto 1 mijë teste për COVID-19, donacion nga Serbia nuk janë përdorur për testim të qytetarëve të Kosovës, pasi që këto teste nuk janë përdorur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ndërsa Serbia u prezantua në mediat më prestigjioze botërore si shumë humanë, se po ndihmon Kosovën në betejën me pandeminë COVID-19, i nderuar ministër, pasi që këto teste nuk janë përdorur ende, a janë larguar, a janë jashtë përdorimi?, Si do të veproni me këtë donacion që e keni pranuar nga Serbia? A do të ja ktheni Serbisë këto 1 mijë teste që i keni pranuar në muajin prill? Apo duhet që këto 1 mijë teste që ju i keni pranuar donacion nga Serbia, Kosova të paguaj për asgjësimin e tyre”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i është përgjigjur Haxhiut duke i thënë se këto teste do të asgjësohen bashkë me mjetet tjera të laboratorit të Mikrobiologjisë.

“Bazuar në të dhënat e IKSHP’së, ato ruhen si dhe shumica e materialeve laboratorike të tjera dhe se ashtu siç deklaruat ju nuk janë përdorur asnjëherë për shkak të skadencës këto kite do të trajtohen sit ë gjitha materialet e mikrobiologjisë me afat të skaduar sipas procedurave të departamentit të mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Me që nuk kërkohen procedura të veçanta të asgjësimit për to, dhe numri i këtyre testeve nuk është i madh, kjo nënkupton se do të asgjësohen në momentin e parë bashkë me mbetjet tjera të laboratorit”, ka shtuar ai.