Rajoni

​Rama: Italia është engjëlli mbrojtës i Shqipërisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet në Pulia të Italisë me rastin e 30-vjetorit të eksodit të shqiptarëve drejt vendit fqinj.

Gjatë fjalës së tij në këshillin Rajonal të Pulias, ku të pranishëm janë edhe ministri i Jashtëm Italian, Luigi Di Maio dhe kreu i Rajonit të Pulias, Michele Emiliano, Rama e konsideroi Italinë si engjëllin mbrojtës të Shqipërisë. Rama nga aty theksoi se kanë ndodhur shumë ndryshime të mirën e Shipërisë gjatë 30 viteve.

Kryeministri mori nga Emiliano çmimin mirënjohës “Rrënja e Pulias”, që i jepet vetëm puliezëve, por që kreu i Pulias theksoi se Rama është një puliez me shtetësi shqiptare.

“Nuk e di a e meritoj gjithë këtë. Është si traditë që kur merr një çmim duhet edhe të flasësh. Dua t’i falënderoj të gjithë ata që janë në sallë. Është e pabesueshme të mendosh që ata njerëz jemi ne, shqiptarët, duket si histori që ndodhi mijëra vjet përpara, por në 30 vite kanë ndryshuar shumë gjëra, ndryshimet në Shqipëri kanë qenë të pabesueshme, por ajo që i bën të gjithë të pabesueshëm është ndryshimi për shqiptarët që mbërritën në atë anije dhe sot janë pjesë përbërëse e asaj shoqërie, janë gati gjysmë milioni dhe 50 mijë ata që kanë një ndërmarrje të madhe a të mesme. Prej shumë vitesh nuk shihen më nga askush si njerëz të dyshimtë”.

“Mbaj mend që për ne Italia ishte një ëndërr. Unë kam pasur një gjyshe katolike që më thoshte shqipja është gjuha e të parëve të tu, kurse italishtja është gjuha e të kaltërve. Italia ka qenë engjëlli mbrojtës i Shqipërisë, që kur bëhet fjalë për të folur për shqiptarët ose kur bëhet fjalë për të mbrojtur Shqipërinë. Ishim shumë të lumtur kur shkonim tek gjyshja për të parë jo vetëm detin por edhe Rain. Shkonim të shikonim TV por ishte sikur të shikonim kinema. Më pas ndodhi kjo situatë ballafaqimi me realitetin e Italisë dhe sigurisht nuk ishte ajo që kishim parë në ekranin e Rait aq më pak edhe në ekranin e Mediaset sepse ishte një realitet. Ne na shikonin si të dyshimtë. Ishte një pikëmbërritje dhe pikënisje për shumë të tjerë. Kishte mijëra të dëshpëruar që dukeshin si jashtëtokësorë. Edhe çasti i tërmetit ishte një çast mbrojtje nga Italia”, tha Rama.