Kosova

​Promovohet monografia “50 vjet Universiteti i Prishtinës”

Në kuadër të 50-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sot është promovuar monografia kushtuar këtij institucioni me titullin “50 vjet Universiteti i Prishtinës”.

Rektori Marjan Dema tha se Universiteti i Prishtinë në çdo kohë ka dhënë kontribute domethënëse në çdo sferë që ka kaluar Kosova. Ai shtoi se UP me gjeneratat e saj ka bërë ka bërë kthesa në historinë e Kosovës, e të cilat janë përfshirë në këtë libër.

“Ky institucion është baza e shtet-formimit dhe shtet-ndërtimit të Kosovës. Breza të tërë studentësh dhe profesorësh kanë kontribuar në rritjen e vetëdijes kombëtare dhe artikulimin e nevojave dhe aspiratave më të qenësishme të kombit…Kjo histori e pasur e këtij tempulli të dijes është e përfshirë në librin që po e promovojmë në vazhdën e aktiviteteve që dëshmojnë punën e UP-së gjatë pesë dekadave”, tha ai.

Njëri nga redaktorët e librit, Faton Berisha, tha se kjo monografi flet për fazat nëpër të cilat bashkërisht ka kaluar ndër vite Kosova dhe Universiteti i Prishtinës.

Berisha, i cili është edhe prodekan i Shkencave, tha se Universiteti i Prishtinës duhet ta ruajë rolin e tij si katalizator në shoqëri.

“Do të kisha uruar që gjysmë shekulli i Universitetit të Prishtinës të kalojë nga rezistenca, qëndresa, shtet formimi, betejat në zhvillim bashkëpunim, multi-disiplinaritet…Universiteti rolin primar e ka të një katalizatori i cili për fëmijët deri atëherë si me magji e shndërron në një person, i cili është i aftë që me punën e vetë t’i bëjë nder vetes, familjes dhe vendit të vet”, tha Berisha.

Sali Bashota foli në emër të autorëve, tha se UP do të vazhdojë të je të identiteti i arsimit, shkencës dhe vetëdijes sonë nacionale.

Bashota tha se Universiteti i Prishtinës në këtë monografi prezantohet si shenjë emblematike e vetëdijes kombëtare.

“Universiteti i Prishtinës në këtë monografi prezantohet si shenja më emblematike e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve të Kosovës që nga themelimi e deri më sot duke filluar nga klithma e identitetit “Kosova Republikë“ e deri te projekti kombëtar i lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së këtij vendi që është Republika e Kosovës, më 17 shkurt 2008”, tha ai.

Ndryshe, gjatë kësaj jave Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” 50- vjetorin e themelimit po e shënon me aktivitete të ndryshme, përfshirë ekspozita, takime të shumta dhe publike të raporteve të ndryshme.

Ky institucion ka gjithsej 14 njësi akademike, me mbi 40 mijë studentë dhe është themeluar me Ligjin mbi Themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi ish-Kuvendi i Kosovës, më 18 nëntor 1969.

Leave a Reply

Your email address will not be published.