Bota

ShBA shpreson t’i vazhdojë bisedimet me Korenë V.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, shfaqi shpresën se bisedimet për çarmatosjen bërthamore të Koresë së Veriut do të vazhdojnë, edhe pas raporteve se Phenjani po shqyrton pezullimin e tyre.

“Shpresojmë se do të mund t’i vazhdojmë bisedimet. Është dëshirë e administratës”, tha Pompeo.

Ai i bëri këto komente për gazetarët në Uashington, pasi zëvendësministrja e Jashtme e Koresë së Veriut, Choe Sun-hui, tha se lideri verikorean, Kim Jong Un, mund t’i ndërpresë bisedimet me ShBA-në për çarmatosje dhe të rinisë provat raketore dhe bërthamore.

Choe tha se ShBA-ja e ka hedhur poshtë “një mundësi të artë” në takimin e fundit midis presidentit të saj, Donald Trump, dhe liderit verikorean.

Muajin e kaluar, Trump dhe Kim janë takuar në Hanoi, për të biseduar rreth çarmatosjes së Koresë së Veriut.

Takimi ka përfunduar pa marrëveshje, pasi Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar kërkesat e verikoreanëve për të hequr sanksionet ndaj shtetit të tyre, në këmbim të kufizimit të programit bërthamor.

Koreja e Veriut, në vitet e fundit, ka testuar disa raketa balistike dhe ka kërcënuar se ka kapacitet për të goditur ShBA-në dhe aleatët e saj në rajon me armë bërthamore.

Në takimin e parë, vitin e kaluar, Trump dhe Kim, kanë thënë se synojnë çarmatosjen e plotë të Gadishullit Korean, por nuk kanë dhënë detaje se si dhe kur do të ndodhë procesi.