SPORT

Pingpongu shpall laureatët e vitit 2018

Federata e Pingpongut të Kosovës gjatë 2018 mund të krenohet për aktivitetet e saj, me theks të veçantë për aktivitetet e organizuara jo vetëm brenda vendit tonë, por edhe jashtë vendit.

Kështu u tha sot gjatë ceremonisë së shpalljes së laureatëve të vitit 2018 nga Federata e Pingpongut të Kosovës për vitin 2018, ku përveç FPPK-së dhe organizmave tjerë sportivë, prezent ishin edhe ambasada italiane dhe ajo turke.

“Pjesëmarrja për herë të parë në kupën ballkanike për klube dhe pjesëmarrja për herë të parë në lojërat mesdhetare hapi një kapitull të ri për pingpongun e Kosovës dhe një përvojë të re për secilin prej njerëzve që janë pjesë e komunitetit të pingpongut në vendit tonë. Gjithsesi nuk është harruar edhe potenciali që ka pas federata për grupmoshat e reja. Nuk është harruar po ashtu edhe puna që është bërë në ngritjen e kapaciteteve të kuadrove që federata e pingpongut të arrij edhe në aspektin e njerëzve që kujdesen për nxjerrjen e talenteve, e në këtë aspekt ka nxjerrë edhe gjyqtarë të rinj”, tha gazetari sportiv Artan Muhaxhiri.

Muhaxhiri tha se, FPPK është një nga federatat që ndër të parat ka pasur gjyqtarë ndërkombëtar nga të gjitha sportet që gravitojnë në vendit tonë dhe këtë traditë po e vazhdon edhe tani.

Edhe kryetari kësaj federate, Nehat Çitaku, në fjalën e tij, renditi të arriturat e kësaj federate për vitin që lamë, njëherësh duke folur edhe për sfidat.

“Këtë vit edhe pse me plotë përvoja të tilla, fatkeqësisht për herë të parë pingpongistëve kosovarë, iu refuzua pjesëmarrja nën flamurin e Kosovës në një kampionat evropian i cili u mbajt në Alikante të Spanjës. Asaj iu lejua që të paraqitet me simbole të ETTU-së, gjë të cilën ne e refuzuam. Mirëpo refuzimi i një imponimi të tillë më vonë doli i drejt, sepse pas një varg shkresash zyrtare të adresuara në ETTU, ITTF dhe në IOC ka ndikuar që të hiqet ndalesa e pjesëmarrjes së sportistëve kosovar në garat ndërkombëtare që organizohen në Spanjë”, tha Çitaku.

Në fund, u ndanë mirënjohje dhe u shpallën laureatët e vitit 2018, epitet ky që u takoi Mentor Shabanit dhe Linda Zeqirit.

Teksti: Mentor BARANI
Kamera: Bleron KRASNIQI
Montazhi: Roland ZOGJANI