SPORT

Llapi e pret Ballkanin, shtyhet për 27 mars derbi Prishtina – Flamurtari

Faza e tretë e IPKO Superligës së Kosovës në futboll nis të shtunën, por derbi i xhiros së 23-të, do të luhet të dielën në Drenas.

Dy ish-kampionët e Kosovës, Feronikeli e Trepça, përballen në duelin me synime të kundërta, ‘Nikli’ që synon titullin dhe ‘89-shi’ që ka për qëllim t’i shpëtojë rënies.

Të dyja skuadrat janë përballur dy herë gjatë këtij edicioni.

Ndeshja e xhiros së parë e zhvilluar në Drenas, kishte përfunduar me rezultatin e barabartë, 1:1, kurse në xhiron e 12-të përballjen e zhvilluar në Mitrovicë, e kishte fituar Feronikeli me rezultat minimal, 1:0, raporton “Sporti në KTV”.

Në fakt, ajo ishte edhe fitore e kthesës, meqë ‘Nikli’ nuk ka humbur më asnjë ndeshje. Humbjen e fundit e kishte pësuar një xhiro më herët, në udhëtim nga Gjilani.

Në pranverë, skuadra nga Drenasi ka katër fitore e një barazim, kurse 89-shi ka vetëm dy fitore, duke pësuar tri humbje.

Të dielën, do të luhet edhe ndeshja kundër Gjilanit dhe KEK-ut, derisa të shtunën në Podujevë, Llapi synon fitore të re kundër Ballkanit për të vazhduar garën për titull të kampionit.

Të shtunën në Gjilan, kampionia Drita pret Lirinë e rrezikuar për rënien, ndërsa ndeshja Drenica – Ferizaj është sfida direkte për mbijetesë.

Ndërkohë, për ta ruajtur fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” për dy ndeshjet e kombëtares së Kosovës, ndeshja derbi e dy skuadrave nga kryeqyteti, Prishtina – Flamurtari është shtyrë më 27 mars.