Kombëtare

Komuna e Ferizajt mohon akuzat e shoqërisë civile për 20 vendime të paligjshme

Më shumë se 20 propozim-vendime janë miratuar kundërligjshëm nga Kuvendi Komunal i Ferizajt, thonë subjektet opozitare dhe organizatat joqeveritare që e monitorojnë punën e kësaj komune.

Sipas Kenan Gashit, monitorues, Komuna e Ferizajt ka bërë shkelje procedurale të ligjit, në kundërshtim me udhëzimet e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, raporton KTV.

Por, MAPL-ja, sipas OJQ-ve dhe opozitës, i ka kthyer mbrapsht këto vendime dhe i ka shpallur të kundërligjshme.

Në mesin e vendimeve të cilësuara nga opozita si të kundërligjshme janë: propozim-vendimi për ndërrimin e parcelës së spitalit, dhe pastaj për caktimin e parcelës së varrezave të qytetit.

Në fund të vitit 2018 është kthyer si e kundërligjshme edhe marrëveshja ndërmjet Komunës së Ferizajt dhe “Caritas Kosova” për projektin “Ngritja e përkujdesjes sociale-shëndetësore, shtëpiake dhe ambulantore në Komunën e Ferizajt”.

Por, në Komunën e Ferizajt mohojnë se kanë vepruar kundërligjshëm në këto raste, derisa akuzat e opozitës i quajnë “shpifje dhe inate partiake”.

Kryesuesja e Kuvendit Komunal në Ferizaj, Kristina Gashi-Bytyçi, thotë se MAPL-ja ka kthyer vetëm 5 vendime për rishqyrtim, ndërkaq ka kërkuar të anulohet një.

Kryesuesja e Kuvendit shton se telashet që po u dalin me disa vendime, janë shkak i keqqeverisjeve të kaluara, barrën e së cilave, sipas saj, po e bartë qeverisja aktuale.