KULTURË

“De Rada” në pritje të poezive nga të rinjtë

Poezia si formë tradicionale e artit të shkruar ku gjuha përdoret për të shpërfaqur cilësitë e të bukurës dhe një intensitet të emocionit, gjithnjë ka bashkuar njerëz.

Motivi i poetit për të shkruar nuk mund të dihet me siguri, por klubi letrar “De Rada” në Ferizaj ka vendosur që të motivojë të rinjtë përmes konkursit letrar për Ditën Botërore të Poezisë, që shënohet gjithandej më 21 mars. Ky klub ka ftuar të gjithë krijuesit e rinj deri në moshën 25-vjeçare që të konkurrojnë me nga një poezi të tyre. Për t’i shkruar e dërguar ato të rinjtë kanë kohë deri në ditën e 19-të të këtij muaji. Vlerësimi i poezive do të bëhet në format anonim nga juria profesionale, ndërsa fituesit do të shpallen tri ditë pas mbylljes së konkursit, pikërisht në Ditën Botërore të Poezisë, kur edhe do të organizohet ora letrare.

Klubi letrar “De Rada” ka shkruar se me konkurse të tilla ka për qëllim të bëjë promovimin dhe nxitjen e krijimtarisë letrare tek të rinjtë e qytetit dhe rrethinës. Tri vendet e para do të marrin shpërblim me para, i pari 70 euro, i dyti 50 dhe i treti 30.

Vitin e kaluar për nder të Ditës Botërore të Poezisë ata kishin organizuar konkurs për poezi dhe prozë për të rinjtë deri në moshën 18-vjeçare, nga ku i kishin përzgjedhur nga tre fitues për të dyja zhanret. Edhe për 28 Nëntor kishin organizuar një konkurs të po këtij formati.

Klubi letrar “De Rada” në Ferizaj funksionon qysh nga vitit 1970.