Kosova

Ahmeti: VV-ja është shndërruar në një PDK të re – Kurti është demagog

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili sot qëndroi në Bruksel në kuadër të dialogut me Serbinë si pjesë e ekipit shtetëror, ka thënë se akuza që ish-partia e tij, Vetëvendosja, po ia bën atij për keqpërdorim të 500 mijë eurove në lidhje me tenderin e qumështit për nxënësit e Prishtinës nuk qëndron, pasi çmimi me të cilin Prishtina e blen qumështin ka koston më të lirë të prodhimit dhe larg ofertave tjera.

Madje, Ahmeti thotë se këtë e di edhe VV-ja, ndërsa shton se çmimi i tenderit të parë nuk ka mundur të vazhdojë.

“Në njoftimin për kontratë kishim treguar se kemi vetëm 200 mijë euro, duke shpresuar se dikush do ta sheh edhe si projekt bamirës edhe si marketing. Dhe ashtu ndodhi. Arritëm të marrim çmimin 10 cent që është larg kostos së prodhimit dhe larg ofertave tjera që kishim. Një kompani tregtare ishte ankuar edhe për konkurrence jolojale. Ishte e qartë që ai çmim nuk do të mund të mbahet gjithmonë. Mirëpo edhe sot çmimi me të cilin Prishtina e blen qumështin është më lirë kosto e prodhimit dhe larg ofertave tjera. Edhe këtë VV e din”, tha ai.

Ndërkaq, kreu i komunës së Prishtinës e ka quajtur ish-partinë e tij “PDK të re” duke iu referuar kallëzimit penal që kjo partia ia ka bërë Ahmetit gjatë ditës së sotme.

“Duke ditur fillimin e negociatave në Bruksel dhe takimin shumë të mirë që patëm me Mogherinin dhe BE-në, VV zgjodhi ditën e sotme të vazhdoj atë që PDK e kishte bërë krejt vitin 2017, kallëzime penale të rrejshme për spektakël dhe për të shfaqur dyshime. Të gjitha ato kallëzime u treguan të pasakta. Ashtu është edhe me PDK-në e re”, ka shkruar Ahmeti në një postim në Facebook.

Tutje, Ahmeti ka shkruar edhe për kreun e partisë Vetëvendosje, Albin Kurtin, ndaj të cilit pati jo pak kritika, duke thënë se ai po fshihet prapa, siç tha, “Valdrinave” (duke iu referuar aktivistit të VV-së në Prishtinë, Valdrin Ahmeti, që dorëzoi në prokurori kallëzimin penal ndaj Ahmetit për dyshimet për keqpërdorimin e 500 mijë eurove) “duke e hedhur gurin e duke e fshehur dorën”.

Më poshtë, shkrimi i plotë i Ahmetit:

Në vitin 2013 me insistimin tim si kandidat për kryetar të Prishtinës kemi premtuar shujta për nxënësit e klasave I-V. Në çdo tubim kam shpjeguar se si është e pamundur që dikujt ti mësohet alfabeti ose tabela e shumëzimit në stomak të uritur.

Që në vitin e parë të qeverisjes kur punonim me buxhet të qeverisjes së kaluar arritëm që të kursejmë para nga shpenzimet e naftes dhe të fillojmë me kifle falas. Dikush edhe kritikonte por për familjet që nuk qëndronin mirë ekonomikisht ky ishte një ndihmë tepër e madhe. Mbledhjet e kabinetit i kemi të filmuara krejt.

Në vitin 2015 duke u bazuar edhe në disa programe në BE filluam të mendojmë për një gotë qumësht në ditë për çdo nxënës. Megjithatë ishte barrë e papërballueshme buxhetore. Sepse me afër 20 mijë nxënës për një vit nevojiteshin rreth 3.6 milion gota qumësht. Një hulumtim i thjeshtë i tregut në internet dhe mund ta gjeni çmimin e 250ml. Megjithate kishim ndarë 200 mijë euro që as për së afërmi nuk mbulonte shpenzimet. Në njoftimin për kontratë kishim treguar se kemi vetëm 200 mijë euro, duke shpresuar se dikush do ta sheh edhe si projekt bëmirës edhe si marketing. Dhe ashtu ndodhi. Arritem të marrim çmimin 10 cent që është larg kostos së prodhimit dhe larg ofertave tjera që kishim. Një kompani tregtare ishte ankuar edhe për konkurrence jolojale.

Me rëndësi ishte që fëmijët po marrin vitaminat e nevojshëm dhe kalciumin përmes qumështit. Këtë VV e dinte shumë mirë sepse është diskutuar dhe kemi raportuar. Ishte socialdemokraci.

Ishte e qartë që ai çmim nuk do të mund të mbahet gjithmonë. Mirëpo edhe sot çmimi me të cilin Prishtina e blen qumështin është më lirë kosto e prodhimit dhe larg ofertave tjera. Edhe këtë VV e din.

Duke ditur fillimin e negociatave në Bruksel dhe takimin shumë të mirë që patëm me Mogherinin dhe BE, VV zgjodhi ditën e sotme të vazhdoj atë që PDK e kishte bërë krejt vitin 2017, kallëzime penale të rrejshme për spektakël dhe për të shfaqur dyshime. Të gjitha ato kallëzime u treguan të pasakta. Ashtu është edhe me PDK-në e re.

Po sulmojnë programin më bujar të mundshëm me koston më të lirë të mundshme. Të gjitha furnizimet të cilat po i përmendin janë në kohën kur unë kam qenë në VV. Dhe tash Albini fshihet prapa Valdrinave të cilët vetë i përjashtoi për hajni në VV, e hedh gurin dhe e fsheh dorën.

Qumështi u fut në krejt programet e kandidatëve të LVV. Meqenëse LVV është në pushtet në Prizren, Vushtrri, Mitrovicë, etj. Dhe në qoftë se VV e paska siguru qumështin në Prishtinë atëherë pse në këto komuna nuk ka shujta e qumësht? Me padurim po e pres tenderimin e shujtave në këto komuna.

Problemi është tjetër. Në qoftë se pajtohesh me Albinin në VV lirohesh nga përgjegjësia për të kaluarën. Mundesh 20 vite me ndejt në PDK, në momentin që pajtohesh me Albinin je patriot. Mundesh 20 vjet me ndejt në LVV, në momentin që nuk pajtohesh me Albinin je tradhëtar.

Kur je kryeiministër e nuk pajtohesh me Albinin je kriminel e vrasës me 80 dosje. Kur pajtohesh me Albinin je ç’kapës i shtetit.

Kur pajtohesh me Albinin të falen edhe ngacmimet seksuale në parti duke i arsyetuar me naivitet, e arsye Lacaniane sociologjike e psikologjike. Kur nuk pajtohesh me Albinin nuk të falet as dashuria.

Kur pajtohesh me Albinin qumështi në shkolla është socialdemokraci e kur nuk pajtohesh me Albinin qumështi është korrupsion.

Kur nuk pajtohesh me Albinin dhënia e aseteve shtetërore për shtetet e tjera është falje e kur ai e flet është strategji e zhvillim i marrëdhënieve me miq.

Kur ai flet me PDK-në është e qartë që ka ndryshuar PDK-ja, kur tjetërkush flet me ta, kanë ndryshuar ata.

Demagogjia ndryshe nuk vjen.