Hi Tech

Studenti kosovar, Emin Emini, ndërton dhe programon pasqyrën e mençur

Pasqyrat tradicionale kanë qenë gjithmonë tejet të nevojshme dhe të përdorshme kudo, por në kohën e evoluimit të teknologjisë, inovatorët e rinj kanë gjetur mënyra për t’i bërë pasqyrat më të dobishme, duke e shumëfishuar funksionin e tyre.

Pothuajse tre muaj më parë, studenti i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë në UBT, Emin Emini ka filluar ndërtimin dhe programimin e pasqyrës së mençur multifunksionale me ekran me touchscreen.

Përveç se një pasqyrë normale, kjo tregon informacione të thjeshta, si kohën, datën e motin, si dhe ofron funksione më të komplikuara si mundësi për të parë, filma, video dhe lajme.

“Pasqyra në fjalë është një pajisje e cila do të ndryshojë rrënjësisht dhe do të lehtësoj jetën tonë e mënyrën e qasjes në informata. Pasqyra do të jetë me touchscreen, që do të thotë ne mund të qasemi në sistem dhe të shikojmë orën, motin, lajmet e fundit si dhe të gjitha informatat që një kompjuter mund të na ofrojë. Po ashtu, mund të shikojmë filma, të kemi qasje edhe në rrjete sociale”, potencoi Emini.

Ky projekt do të jetë një inovacion në vete, e natyrisht, nuk është projekti i parë inovativ që Emini e ka sjellë në Kosovë. /Kosova.info/