PSHDK-ja në rrugë pa krye!?…

Intervistë me politologun Dr. Nikë Gjeloshin

Kosova Info: Pak kohë me parë, PSHDK-ja ka patur një Kuvend të jashtëzakonshëm për zgjedhjen e njeriut të parë në krye të partisë, pra të kryetarit te partisë, ju lutem na thoni çka rezultoi nga ky kuvend?

Gjeloshi: Në bazë të nënshkrimeve të mbi 1/3 se delegatëve të Kuvendit të Rregullt zgjedhor të 7.06.2008 dhe vendimit të Kryesisë se PSHDK-së të datës 27.02.2010 për mbajtjen e Kuvendit te jashtëzakonshëm me datën 27.03.2010., i cili ishte shtyrë me 20.03.2010, dhe vendimit përfundimtar të Kryesisë se PSHDK-së me 7.05.2010., u caktua data e mbajtjes se Kuvendit te jashtëzakonshëm me 19.06.2010, me të vetmen pikë: “Votëbesimi i kryetarit formal juridik të PSHDK-së, z. Ton Marku dhe zgjedhja e kryetarit të ri të PSHDK-së”. Në të vërtetë edhe vitin e kaluar, me 27 qershor 2009, patëm organizua një Kuvend të jashtëzakonshëm, shkarkuam kryetarin e PSHDK-së, z. Ton Marku dhe u.d i kryetarit të PSHDK-së u zgjodh nënkryetari i parë, Dr. Nikë Gjeloshi.

Ai kuvend i jashtëzakonshëm u anulua nga KQZ për tre arsye: Një (1), Vendimii anëtareve të Kryesisë se PSHDK ishte marrë pa kuorum. Dy (2), kryetarit të partisë i shin marrë ingerencat në mënyrë jostatutare. Tre (3), emërimi i u.d të kryetarit ishte shkelje e Statutit të partisë.

Megjithatë ana pozitive ishte sepse PSHDK u ruajt si subjekt në vete dhe si subjekt në vete u certifikua dhe për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2009, sado që kryetari formal juridik kishte shpallë bashkime e koalicione parazgjedhore dhe që të dyja i ishin anulua nga KQZ. Këto veprime të tija në kohën e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale e dëmtunë shumë PSHDK-në.Po ky far kryetari formal nuk kishte kurrfarë kontaktesh e as bashkëpunimi me organet e partisë nga qershori i vitit të kaluar.Në ketë Kuvend të jashtëzakonshëm, të 19 qershorit, ishte krijua aso atmosferë sa nga një pjesë e delegatëve, pavarësisht përgjegjësisë së tyre, nuk i interesonte se shkelej Statuti apo ligji, kryesorja për ta ishte: “… ata janë Statuti, ata janë ligji, ata janë rregullat, ata janë …”, gjë që e pohonin haptas aty, sado që kjo parti ishte themeluese që 20 vjet dhe atë mbi baza të një Programi, një Statuti për veprimin politik. Kësaj gjendjeje i kontribuuan dhe ca nga anëtarët e kryesisë së partisë të cilët patën përfitime të mëdha në pushtetin lokal në Gjakovë, në bazë të koalicionit që nënshkrova unë në emër të PSHDK-së me kryetarin e AAK-së.

Në ketë Kuvend të jashtëzakonshëm më është dashtë ta theksoj disa herë dhe të jap shpjegime se kandidimi dhe zgjedhja eventuale e personit që nuk i plotëson kushtet me Statut dhe ligj do të jetë jo e rregullt dhe e kontestuar. Na u dashtë rreth një orë kohë për të fillua me hapjen e punimeve të atij Kuvendi të jashtëzakonshëm.

Kosova Info: Z,Nikë, siç e dimë juve keni pasur një kandidat për t’u zgjedhur për kryetar njeriun që s’ka qenë me parë as delegat, dhe kjo bie ndesh me Statutin e partisë si u bë kjo që ai të votohet jashtë rregullave statutore, a lejohet kjo?

Gjeloshi: Në sallën e punimeve të kuvendit te jashtëzakonshëm kishte hyrë personi që nuk ishte delegat dhe nuk kishte qenë asnjëherë. Ky person me 17.05. bëri një kërkesë për ta zgjedhë kryetar të Kryesisë së PSHDK-së ne Kuvendin e jashtëzakonshëm të 19 qershorit 2010. Kjo Parti, me Statut, nuk kishte atë funksion, dhe po t’i plotësonte kushtet ai. Unë bëra një bisedë me të për të qartësua interesin e tij dhe për t’i shpjegua përcaktimet statutore. I dhashë përgjigjen dhe me shkrim, me 4.06.2010, për të cilën gjë ishin pajtua dhe anëtarët e Kryesisë. Tetë ditë para Kuvendit të jashtëzakonshëm e kishte ndërrua atë kërkesë për kryetar të Partisë. Ky person ishte Marjan Dema, profesor i matematikës në Universitetin publik të Prishtinës. Kërkesa e Demajt, dhe po të ishte delegat që nuk ishte dhe t’i plotësonte kushtet tjera, nuk e plotësonte kushtin sipas nenit 13 paragrafi 4 të Statutit te Partisë, sipas të cilit, citoj: “Kandidati apo kandidatët për kryetar te PSHDK-së është – janë të obliguar që 30 ditë para mbajtjes së Kuvendit, të paraqesin kandidaturën për kryetar të PSHDK-së në formën e shkruar në Kryesinë e BD – PSHDK së, bashkangjitur edhe Programin – Planin dinamik të punës të specifikuar me afate kohore gjatë mandatit katër vjeçar, e cila Kryesi e BD – PSHDK, ia propozon Kryesisë qendrore për Kuvendin zgjedhor të PSHDK-së “. Nuk e plotësonte as kushtin e të qenit delegat i Kuvendit te Partisë e as anëtar i Kryesisë së Partisë. Sipas Nenit 12 paragrafi 1 të Statutit të Partisë, citoj: “Kuvendin e përbejnë delegatët e zgjedhur në kuvendet e Bashkësive të degëve në Kosovë dhe Diasporë me mandat katërvjeçar dhe anëtarët e kryesisë se PSHDK-së me mundësi  rizgjedhjeje”. Kurse sipas nenit 6 të Rregullores për punën e Kuvendit Zgjedhor të PSHDK-së, të aprovuar në Kuvendin e Rregullt zgjedhor me 7.06.2008, citoj: “Cilësinë e Delegatit te Kuvendit e ka anëtari i PSHDK-së të cilin dega, respektivisht Bashkësia e degëve, në Kuvendin zgjedhor e delegon për ta përfaqësuar atë në Kuvendin e PSHDK-së”. Ca njoftime i kishte bërë Demajt dhe Zyra e PP pranë KQZ-së me 11.06.2010, nder tjera, se ai “paraprakisht duhej të ketë të siguruar cilësinë e delegatit“. Neni 12 paragrafi 2 i Rregullores për punën e Kuvendit zgjedhor, kishte përcaktuar, citoj: “Te drejtë vote kanë vetëm delegatët e Kuvendit”. De fakto ka nënkuptua se ata që kanë të drejtën e votës mund dhe të votohen duke respektua procedurat e caktuara dhe e kundërta ata që nuk kanë të drejtën e votës nuk mund as të votohen. Demaj nuk ishte as anëtar i PSHDK-së dhe nuk figuron në asnjë regjistër të Partisë, gjë që dhe nga ky fakt notor kandidimi i tij dhe futja në listën e votimit ishte në kundërshtim dhe me nenin 16.1 të Rregullës 01/2008 të KQZ-së për Regjistrimin dhe Veprimin e Partive Politike. Ditën e mbajtjes së këtij Kuvendi të jashtëzakonshëm Demaj kishte vënë nënshkrimin në listën e delegatëve nga Gjakova gjë që ka bërë dhe falsifikim ordiner. Shumica e delegatëve vendosën zgjedhjen jostatutare dhe jo të ligjshme, sepse ashtu ishin përgatitur. Ketë përgatitje e kishin pranuar dhe vetë, me rastin e hyrjes në sallë ku mbahej kuvendi, kur pohonin me zë: „…O do shtim brenda dhe Marjan Demen o nuk do hymë brenda fare“!

Kosova Info: Mesa dimë juve keni bërë një ankesë në KQZ, ngase është shkelur Statuti i partisë me këtë propozim për zgjedhjen e Marjan Demajt, çka mendoni se do të vendos KQZ-ja për këtë, do ta anulojë ketë kuvend?

Gjeloshi: Për parregullsitë dhe vendimin jostatutor e të kundërligjshëm të Kuvendit të jashtëzakonshëm të PSHDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri të PSHDK-së me 19.06.2010, pati kundërshtime dhe të disa delegatëve. Njeri nga nënkryetaret e partisë, kryetar i BD të Klinës dhe kandidat për kryetar të Partisë, pas pauzës lëshoj punimet e Kuvendit. Punimet i lëshuan dhe disa nga delegatët.  Unë kam bërë një ankesë në KQZ dhe i kam propozua KQZ, të merr vendim me të cilin e ANULON zgjedhjen e z. Marjan Dema, kryetar të PSHDK, në Kuvendin e jashtëzakonshëm me datën 19.06.2010, si zgjedhje jo Statutare dhe jo e  ligjshme, dhe i OBLIGON delegatët e Kuvendit të PSHDK-së që problemin e kryetarit të PSHDK-së ta zgjedhin duke zbatuar dispozitat e Statutit, Rregullores për punën e Kuvendit të rregullt zgjedhor të aprovuar në Kuvendin e Rregullt zgjedhor me 7.06.2008 dhe Rregullën 01/2008., për Regjistrimin dhe Veprimin e Partive Politike. Mendoj se KQZ do të vendosë sipas rregullave, Statutit të partisë dhe Ligjit ashtu që ky Kuvend i jashtëzakonshëm do të anulohet. Ne kemi shtetin tonë që e krijuam me aq shumë mund e sakrificë. Ky shtet do jetë demokratik dhe ligjor vetëm duke funksionuar mbi baza të rregullave dhe ligjit. Unë kam besim se do të zbatohen rregullat dhe ligji dhe për ketë rast.

Kosova Info: Po sipas këndvështrimit tuaj, pse po ndodhin këto fenomene në PSHDK, me këto shantazhe me këto grupacione e fraksione brenda kësaj partie, a i ndihmon kjo PSHDK-së në perspektivë apo në shkatërrim?

Gjeloshi: Në Parti politike hyn njerëzit që kanë ide të përbashkëta, pikëpamje politike dhe qëllime të përbashkët. Veprimtaria politike zhvillohet me vetëdije, me plan dhe në bazë të rregullave, të cilat rregulla përcaktojnë sjelljet e individit ndaj anëtarëve tjerë të shoqërisë. Kjo Parti dy vitet e para të themelimit ishte bërë një parti masovike (sipas ndarjes së partive politike më masovike dhe kadrovike, Diverzhe). Kjo në saj të idesë, pikëpamjeve politike dhe qëllimit të përcaktuar me Programin e themelimit. Sot, kjo Parti, për mendimin tim, ka arrit në pikën më të ultë te të qenit parti politike. Kjo, gjendje është krijua në bazë të dy shkaqeve kryesore: një (1) sepse kjo parti, nga themelimi, ka qenë pengesë e shumë faktorëve, dhe dy (2) sepse në krye të kësaj partie, kohë pas kohe, erdhën persona që as si ide as si pikëpamje as si qëllim nuk i kanë takua e as nuk e kanë dashtë ketë parti. Për më shumë se 15 vjet, kjo parti ka jetua me sindromën e intrigave, shpifjeve, smirës, grindjeve, denigrimeve staliniste e përjashtimeve. Janë zgjedhë njerëz jashtë rregullave dhe Statutit, ndërsa pjesa e ndërgjegjshme e saj e ka braktisë atë. Kësisoj kjo parti ka mbetur vetëm parti në emër. Ky mbase ka qenë dhe qëllimi i atyre që më së shumti kanë patur  përfitime nga kjo parti. Unë e them shpesh herë se ketë parti e kanë shndërrua në “parti gërmadhë”. Për mase dy vite nuk kam kursye dijen, kohen e as mjetet financiare për ta nxjerrë këtë parti nga kjo gërmadhë dhe për ta vënë në rrafshin e të vepruarit si subjekt me interes për vendin, ashtu siç kisha veprua me rastin e themelimit të saj. Kam bërë shumë takime e biseda për kyçje njerëzish dhe ristrukturim të saj,  dhe kam hasë në mbështetje; kam bërë takime dhe me miq të jashtëm dhe aty kam hasë në mbështetje. Me këtë Kuvend të jashtëzakonshëm gjendjes së tillë kam dashtë t’i vej një pikë. Ashtu siç kam dashtë t’i vë një pikë terë atyre sindromave të së keqes, të kultivuar vite me radhë. Pikën kam dashtë ta vejë përmes drejtimit të këtij subjekti, pa ato sindrome, dhe ofrimit të gjithë atyre që donë të jenë pjesë e ideve, pikëpamjeve politike e qëllimeve të përbashkëta. Kisha një Projekt që ishte i gjerë dhe në interes te të gjithëve, por e rrënuan atë Projekt.

Kosova Info: Po si e shikoni juve të ardhmen e PSHDK-së,a do te mund te vije deri te një konsolidim i saj apo PSHDK-ja ka rënë qe sa kohë në shtratin e prokrustit?

Gjeloshi: Mendoj se dhe me ketë Kuvend të jashtëzakonshëm kjo parti ka humbë shumë. Sepse në vend që të tejkalohej gjendja, shumica e delegatëve zgjodhën rrugën e porositur, rrugën e mosrespektimit të Statutit e Ligjit. Me këtë veprim u krijuan dhe thyerje të reja e ndasi. Me parregullsi, thyerje e ndasi nuk konsolidohet asgjë. Unë do pres një vendim nga KQZ-ja, eventualisht dhe nga Gjykata kompetente, të cilin vendim e pret dhe një numër i anëtarëve të Partisë. Po ashtu, do ta mendoj: a e vlen veprimi im i mëtejmë në ketë Parti?

Intervistoi: Naim KELMENDI

3 komente for “PSHDK-ja në rrugë pa krye!?…”

  1. jashari says:

    O ky eshte vet hataja edhe deshtimi e nuk ka qka flet pere deshtim te tjereve

    Well-loved. Like or Dislike: Thumb up 6 Thumb down 1

  2. pshdk me e fortë says:

    Kuvendi ishte shume i rregullt ,jeni ju Nike Gjeloshi qe nuk deshironi te veproni sipas statutit sepse ne asnje pike te saj nuk ndalohet te jesh kandidat per kryetar me kushtin qe te jesh delegat.
    Pshdk ne kuvend tregoi se nuk mund te imponohen gjerat sipas tekeve por jan delegatet ata qe vendosin. Jeni treguar shume i vogel Nike Gjeloshi ndersa Uka nuk mundi te ballafaqohet me voten e lire.

    Rekomandimi: Thumb up 5 Thumb down 2

  3. Albani says:

    O ky far Nika nuk eshte ne rregull me krye, po mos ja veni veshin

    Rekomandimi: Thumb up 4 Thumb down 2

Dergoni komentin