Fuqizimi i PSHDK-së, me interes për Demokracinë dhe shtetin Ligjor të Kosovës

Intervistë me shkas me politologun dr.Nikë Gjeloshin, nënkryetar i parë, përkatësisht udhëheqës faktik i PSHDK-së, që një vit

Para mbajtjes së Kuvendit të jashtëzakonshëm, të shtunën, më 19 qershor 2010, me dr.Nikë Gjeloshin,  zhvilluam një bisedë rreth mbajtjes së këtij kuvendi të jashtëzakonshëm, rëndësisë së tij dhe për shumë çështje substanciale të PSHDK-së.

Kosova Info: Duke e ditur rrjedhën e ngjarjeve në procesin e ecjes së PSHDK-së që nga themelimi,pasi që dikur kjo parti ka luajtur një rol të rëndësishëm në proceset politike për Kosovën, çka do të sjell ky kuvend i jashtëzakonshëm?

Nikë Gjeloshi:  Siç dihet para njëzet vjetëve e themeluam këtë parti me qëllim që në proceset politike të luajë rol me rëndësi në pavarësimin e vendit. Përmes këtij subjekti kishim bindjen se faktori ndërkombëtar do të influencohej më shumë në mbështetje të çështjes së lirisë dhe pavarësisë sonë. Kjo edhe për një arsye tjetër sepse në kohën e themelimit të kësaj partie kishte marrë hov teza serbe se në Kosovë përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi kishin prirje thjesht fundamentaliste islamike. Kjo,pra PSHDK-ja, e rrënoi këtë tezë serbe,sepse këtu bëhej fjalë për një komb që ka tri konfesione fetare, që në fakt lidhjet e farefisnisë,  gjakut,  e gjuhës,  janë dhe mbeten shumë më të forta sesa çdo lidhje tjetër. Në këtë kuptim i dhamë dhe emrin Shqiptare. Përkundër rolit politik me interes për vendin, nga themelimi i saj e deri më sot, kjo parti është përballë me probleme të vazhdueshme të brendshme në organizimin dhe strukturimin e saj.  Për mendimin tim kjo ka ndodhë për dy arsye kryesore: Një, sepse  ka qenë pengesë e shumë faktorëve dhe e dyta, në krye të saj shpeshherë nuk kanë ardhë drejtues të qëlluar,  që idetë, pikëpamjet politike, programore, që do t‘i avanconin në të mirë të partisë dhe më gjerë. Kur jemi te ky kuvend i jashtëzakonshëm, i cili do të mbahet të shtunën me 19 qershor 2010, mendojmë që përmes tij ta zgjidhim problemin parësor, me të cilin po përballet tash e një vit partia, e ky është problemi i zgjedhjes së kryetarit të partisë.  Në fakt,  vitin e kaluar u munduam ta zgjidhim këtë problem, mirëpo nuk arritem. Megjithatë arritëm që ta shpëtojmë PSHDK-në si subjekt në vete. Në këtë kuvend do të marrin pjesë vetëm delegatët e kuvendit të rregullt zgjedhor të vitit 2008, të cilët:“…Janë zgjedhur në kuvendet e bashkësive të degëve në Kosovë dhe në diasporë,…“.  Kjo,sepse ky është kuvend i jashtëzakonshëm,jo kuvend i rregullt zgjedhor.

Kosova Info:  Ka një vit që ju e drejtoni PSHDK-në, njëherit si nënkryetar i parë i saj, cilat janë vështirësitë dhe sfidat që ju kanë percjellur deri te ky kuvend?

Nikë Gjeloshi:  E para, patëm problemin e ruajtjes së kësaj partie si subjekt në vete, bashkë me emrin e saj ,“Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës“. E dyta, në rrethana shumë të disfavorshme, hymë në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2009, si subjekt në vete. Në këto zgjedhje arritëm që në Gjakovë  të fitojmë katër vende këshilltarësh në asamblenë komunale, kurse në atë të Klinës një këshilltar. Në saje të koalicionit me AAK-në, jemi pjesë e pushtetit komunal me tri drejtorate në Gjakovë.  Në Kosovë dhe diasporë themeluam disa degë të reja dhe jemi në parapërgatitje të themelimit edhe të disa degëve të tjera. Shpresojmë se së shpejti në PSHDK do të kthehen shumë anëtarë që për vite të tëra kanë vepruar për këtë parti, dhe për shkaqe të ndryshme hë për hë janë jashtë saj. Këtë vit kemi arritur t’i realizojmë dhe mjetet financiare nga Bugjeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës,  mjete këto të alokuara sipas koalicionit parazgjedhor 2007.

Kosova Info: Juve e keni pasur edhe një kuvend të jashtëzakonshëm para një viti, ky i tashmi do ta avancojë dhe stabilizojë më tutje çështjen e partisë?

Nikë Gjeloshi: Mendoj se gjithësesi ky kuvend do ta zgjidhë këtë problem, me tëcilin po përballemi që një vit. Pas zgjidhjes së këtij problemi, ky kuvend do të jetë përcaktues për kahjet e mëtutjeshme të avancimit, zhvillimit dhe faktorizimit të kësaj partie.

Kosova Info:  Si i parashikoni rrjedhat e mëtutjeshme të aktivitetit politik të PSHDK-së,  a do të  jetë pjesëmarrëse në zgjedhjet e ardhshme nacionale?

Nikë Gjeloshi:  Duke u nisur nga arsimimi im shkencor dhe përvoja ime politike, që nga nisja e themeleve të pavarësisë së Kosovës, përfshi edhe angazhimin tim në qeverinë e ekzilit, si nënkryetar i saj dhe ministër i mbrojtjes, kam bindje dhe besim se me këto potenciale të mia, do të arrijë ta avancojë e forcojë si faktor me interes për vendin dhe për shtetin tonë. Në këtë kuptim mendoj se edhe në zgjedhjet nacionale do të arrijmë të jemi pjesë e pushtetit shtetëror përmes koalicioneve parazgjedhore që unë shpresoj t’i arrijmë.

Kosova Info:  Juve për disa vite keni qëndruar  jashtë Kosove, përkatësisht në Zvicër, pas shumë vitesh të aktivitetit tuaj politik para luftës,  çka nënkupton angazhimi i juaj i sërishëm për ta drejtuar PSHDK-në?

Nikë Gjeloshi:  Angazhimi im i drejtpërdrejt në krye të kësaj partie nënkupton ristrukturimin e partisë, zgjerimin e saj me anëtarësinë brenda dhe jashtë,  shfrytëzimi i kontaktve dhe forcimi i lidhjeve miqësore që janë krijuar deri më tash dhe në të ardhmen.  Me një fjalë duhet të them se kjo nënkupton faktorizimin e kësaj partie në rrafshin politik kombëtar dhe të jashtëm dhe njëherit ushtrimin e ndikimit më të madh në institucionet demokratike të shtetit, në të cilat rrjedha do të luajë rol të veçantë edhe PSHDK-ja.

Kosova Info:  Duke patur parasysh rëndësinë e proceseve demokratike në ndërtimin e shtetit të Kosovës, a i duhet një PSHDK e fortë këtij shteti?

Nikë Gjeloshi:  E kam theksuar gjithmonë dhe dua ta theksoj dhe me këtë rast se,  një PSHDK e fortë dhe shteti i Kosovës do të jetë më i fortë. Po qe se në këtë kuvend do të marr besimin e delegatëve për ta udhëhequr këtë parti, do hapë rrugë për ofrimin e kuadrove dhe të gjithe atyre që dëshirojnë të strukturohen e të jenë pjesë e angazhimit politik dhe intelektual  të kësaj partie,  përmes programeve të caktuara, të cilat do të gjenë mbështetje edhe nga faktori i jashtëm. Kjo parti do të bëhet më e fuqishme dhe do të ketë ndikimin më të madh si subjekt politik në të dyja rrafshet, atë të brendshëm dhe të jashtëm. Prandaj, unë shpeshherë e theksoj se, ashtu siç ishte me interes kombëtar themelimi i PSHDK-së (unë jam njëri nga themeluesit e saj më 1990), ashtu është dhe sot kjo parti me interes të jashtëzakonshëm, për ta ndërtuar demonkracinë dhe  shtetin ligjor të  Republikës  të Kosovës.

Intervistoi: Naim KELMENDI

1 koment for “Fuqizimi i PSHDK-së, me interes për Demokracinë dhe shtetin Ligjor të Kosovës”

  1. Niki says:

    Niki e pershendet pshdk qe te bahet partia e dyte si ashte kane para lufte pershendetje nga BERNI

    Rekomandimi: Thumb up 0 Thumb down 0

Dergoni komentin