Valon Halimi, kryetar i Degës së LDK-së për Beneluks

foto LDKBruksel, 02 mars 2010 – Në Bruksel u mbajt Kuvendi VI zgjedhor i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës për Beneluks, në të cilën morën pjesë delegatë, përfaqësues të të gjitha aktiveve dhe nëndegëve të shteteve të Beneluksit.

Punimet e kuvendit i udhëhoqi Ismail Bytyqi, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit.

Pas intonimit të himnit kombëtar si dhe atij dardan, si dhe një minutë heshtjeje në kujtim të dëshmorëve dhe të atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit tonë, raportin e punës ndërmjet dy kuvendeve e paraqiti kryetari i këshillit koordinues të Degës së LDK-së, Kujtim Hajdaj. Ai i informoi të pranishmit rreth angazhimeve te Këshillit Koordinues për organizimin e kuvendit të VI zgjedhor të LDK-së, Dega për Beneluks. Hajdaj me tutje u ndal tek një ngjarje tjetër pikëllimi për këtë vit, ndarjen nga jeta të nënkryetarit të LDK-së dhe kryetarit të Komunës së Istogut, Fadil Feratit. Kjo ishte humbja e dytë e madhe për popullin e Kosovës, LDK-në dhe qytetarët e Istogut, pas asaj të presidentit tonë historik, Ibrahim Rugova.

“Besimi dhe vlerat kombëtare që i ndërtoi Fadil Ferati gjatë karrierës së tij partiake dhe kombëtare do të jenë vlera që ne do t’i ruajmë si shembull se si duhet punuar për mirëqenien e popullit tonë”, tha Hajdaj.

Xhafer Tahiri, përfaqësues i kryesisë qendrore të LDK-së, Haki Latifi, kryetar i Degës së LDK-së për Zvicerr, si dhe Abedin Gashi nga Dega për Ëani i përshëndetën punimet e këtij kuvendi, duke i uruar punë të mbarë dhe të suksesshme.

Të pranishmit me votën e tyre vendosën për strukturat e reja udhëheqëse të degës, të cilat në mandatin e ardhshëm do të udhëheqin me degën. Delegatët me vota fshehta votuan për kryesinë e re me këtë përbërje: Valon Halimi, Kujtim Hajdaj, Argzon Bytyqi, Albana Gashi, Enver Veseli, Besim Mehaj, Fazli Balaj, Sylejman Istrefi, Besim Hajdaj, Agim Syla, Asllan Curraj si dhe Bekim Rugova.

Kryetari i posazgjedhur, Valon Halimi ne fjalën e rastit ndër te tjera tha se Dega e LDK-së për Beneluks nuk veproi vetëm si parti politike, por si një lëvizje kombëtare, e cila ishte dhe mbetet promotor i të gjitha organizimeve të bashkëkombësve tanë në të gjitha fushat e jetës, si në organizimin dhe mbështetjen e arsimit shqip, informimit, jetës kulturore e sportive, e në veçanti krah i fuqishëm i mbështetjes së institucioneve të Republikës të Kosovës.  Ai theksoi se sot LDK-ja për Beneluks angazhohet maksimalisht në ndërtimin dhe rindërtimin e demokracisë në Kosovë, pastaj për integrimin e komunitetit tonë në Belgjikë, si dhe në ruajtjen e lidhjeve me vendlindjen, duke hapur kështu perspektiva të reja për shqiptarët përgjithësisht. LDK-ja angazhohet po kështu për organizimin e bashkëkombësve për të drejtat e bashkatdhetarëve që jetojnë në shtetet e Beneluksit, duke përfshirë këtu edhe të drejtën e qëndrimit të përkohshëm, si dhe për ringjalljen e kolegjiumit të degëve në diaspore.

Ismail Bytyqi, kryetar i Kuvendit të Degës, bëri thirrje për kthimin në shtëpinë e vjetër të të gjithë anëtarëve të LDK-së.

“Nuk mund të ketë koalicione mes vëllezërve të një shtëpie, është koha për kthim në shtëpinë e vjetër të të gjithë anëtarëve të LDD-së” tha z. Bytyqi.

Nga ky tubim u kërkua që LDK-ja – Dega për Beneluks, edhe më tutje të angazhohet për ndërtimin dhe ruajtjen e miqësisë me shtetet aleate të Kosovës, të cilat ndihmuan pa rezervë në çlirimin e Kosovës.

Kryesia dhe Kuvendi për kontributin e çmueshëm që dha Ismail Bytyçi që nga themelimi i Degës së LDK-së në vitin 1990 e deri më sot, i dha titullin kryetar nderi i Lidhjes Demokratike te Kosovës, Dega për Beneluks. Po ashtu, kryesia dhe kuvendi i degës, për kontributin që dhanë që nga themelimi i Degës së LDK-së, i dha titulli anëtar nderi i degës,Lorik Iberdemaj i biri i Haki Iberdemajt, njërit ndër themeluesit e kësaj dege. Ndërsa zonjës Miradije Kelmendit, ish-anëtare e kryesisë, gjithashtu iu dha titulli anëtare nderi për angazhimet e saj në kuadër të kryesisë së kësaj dege. /KI/

1 koment for “Valon Halimi, kryetar i Degës së LDK-së për Beneluks”

  1. BESIM HAJDI says:

    URIME ZOTI KRYETAR I DEGES SE LDK PER BENELUKS.SUKSESE TE REJA

    Rekomandimi: Thumb up 0 Thumb down 0

Dergoni komentin