Për 400 vende, 7000 aplikacione
Skenderaj, 8 shkurt 2010 - Shpallja e konkursit nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës për pranimin e 400 rekrutëve të rinj për të qenë pjesë e kësaj force së Kosovës, ka zgjuar një interesim mjaft të madh tek të rinjtë. Këtë gjë e konfirmojnë edhe në Drejtorinë për Informim Publik, pranë FSK-së në Prishtinë, të cilët kanë shprehur kënaqësinë e tyre për këtë interesim.
Sipas Ibrahim Shalës, drejtor për informim pranë kësaj force, në konkursin e fundit të shpallur nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për rekrutimin e 400 pjesëtarëve të rinj, deri më tani në të ashtuquajtura pika mobile janë dorëzuar 7 mijë aplikacione.
“Procesi i aplikimit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës po shkon shumë mirë. Deri tani kemi 7000 aplikacione të plotësuara, por numri me siguri së do të jetë më i madh deri në përmbyllje të konkursit”, ka thënë ai, sipas të cilit, edhe përmes faqes zyrtare të MFSK-së në internet qytetarët mund t’i shkarkojnë fletë-aplikacionet për plotësim.
Ekipe mobile të kësaj force të premten e kaluar kanë filluar shpërndarjen e aplikacioneve edhe në komunën e Skenderajt. Ky ekip që po funksionon në sallën e kuvendit të komunës për dy ditë pune ka shpërndarë 150 aplikacione shifër kjo që pasqyron një interesim mjaftë të madh tek të rinjtë e kësaj ane për FSK.
Në bazë të disa bisedave që patëm me ca të rinj që kishin ardhur për t’i marr dokumentacionet për aplikim, dashuria dhe krenaria për të qenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës ishin ndër shkaqet kryesore që i kishin shtyrë për të aplikuar.
”Interesimi në Skenderaj është i madh. Këtij konkursi po i përgjigjen kryesisht të rinjtë, të moshës 18 deri 25 vjeç dhe nga të dy gjinitë. Konkursi do të jetë i hapur deri të enjten” njoftoi të hënën njëri nga pjesëtarët e kësaj force që ishte pjesë ë këtij ekipi mobil në Skenderaj për të ndarë aplikacione, por që nuk deshi t’i përmendet emri.
Lirim FEJZULLAHU




