Obama kumton strategjinë për Afganistanin

barak-obamaWashington 30 nëntor 2009 – Presidenti amerikan Barack Obama pritet që nesër të bëjë hapin më të fuqishëm strategjik të presidencës së tij dhe do të jep urdhrin për dërgimin e mijëra forcave shtesë, në luftën gjithnjë e më të pa-popullarizuar në Afganistan.

 

Obama do të mbajë një fjalim para kadetëve të akademisë ushtarake West Point, gjatë së cilit pritet të kumtojë vendimin e tij për të dërguar prej 30 deri në 35 mijë ushtarë shtesë, në kuadër të strategjisë së re për Afganistanin, e cila sipas fjalëve të tij e synon kompletimin e misionit atje.

 

Më shumë se tetë vjet pas invadimit amerikan në Afganistan, i cili rezultoi me përmbysjen e talebanëve nga pushteti, presidenti amerikan gjithashtu po përballet me trysni për të paraqitur një strategji dalëse nga Afganistani.

 

Shumë njerëz dyshojnë në mençurinë e vendimit për të eskaluar konfliktin, me shtimin e ushtarëve dhe gjithashtu edhe me shtimin e humbjeve, e nuk mungojnë as krahasimet me Luftën e Vietnamit, e cila “mallkoi” presidencën e Lyndon Johnsonit.

 

Në momentin kur Obama u inaugurua president, në Afganistan kanë qenë të stacionuar 35 mijë ushtarë amerikanë. Pas vendimit të tij të parë në shkurt, për të shtuar numrin e forcave, numri i ushtarëve amerikanë në Afganistan aktualisht arrin shifrën 68 mijë.

 

“Duhet të mësojmë leksionet nga historia jonë. Në anën tjetër, çdo moment historik ka veçantitë e veta. Kur nuk shelg dy herë në të njëjtin lumë. Prandaj Afganistani nuk është Vietnam”, pat theksuar Obama në shtator.

 

Që nga viti 2001, në Afganistan janë vrarë 900 ushtarë amerikanë, ndërsa tetori i këtij viti ka qenë muaji deri me tani më i përgjakshëm për ushtrinë amerikane, me 74 ushtarë të vrarë gjatë këtij muaji.

 

Përveç humbjeve në njerëz, luftërat në Afganistan dhe Irak SHBA-së deri me tani i kanë kushtuar 768.8 miliardë dollarë.

 

Shtimi i forcave do të zgjerojë edhe deficitin e madh në buxhetin e SHBA-së. Por gazeta New York Times theksoi se Obama gjithashtu planifikon që të shpalos një plan kohor për përfundimin e luftës.

 

Obama do të insistojë se angazhimi i SHBA-së nuk është as i pakufizuar, e as i pakushtëzuar dhe se synimi i angazhimit është i qartë: që të pamundësohet që rajoni të shërbejë si bazë për sulme kundër SHBA-së.

Javën e kaluar, Britania dhe Franca kanë kumtuar se do të organizojnë një konferencë ndërkombëtare, për të qartësuar synimet në Afganistan, iniciativë kjo e cila u mbështet menjëherë nga Washingtoni.

 

Obama forca shtesë në Afganistan ka kërkuar edhe nga aleatët ngurrues në radhët e NATO-s.

 

Për këtë çështje aleanca do të bisedojë në takimin në nivel të ministrave, i cili do të zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel.

 

Anketa e publikuar javën e kaluar në SHBA dëshmojë se amerikanët janë të përçarë në lidhje me atë se a duhet dërguar forca shtesë në Afganistan, me gjysmën e tyre që u shprehen në favor të eskalimit të luftës, ndërsa 39 për qind e të anketuarve theksuan se ka ardhur koha për të filluar tërheqjen e forcave.

Dergoni komentin