Bota

Senatori demokrat thotë se retorika e Trumpit është “një faktor” në masakrën e Zelandës së Re

Senatori demokrat, Richard Blumenthal, ka ndërlidhur të premten retorikën ndezëse të presidentit amerikan, Donald Trump, me sulmin e përgjakshëm në xhamitë e Zelandës së Re, ku të vdekur mbetën së paku 49 persona.

“Fjalët prodhojnë pasoja, si kur themi se kemi një pushtim të kufirit tonë dhe kur flasim për njerëzit sikur ata të ishin të ndryshëm në njëfarë mënyre fatale”, ka thënë Blumenthal gjatë një interviste për CNN, raporton kompania amerikane e gazetarisë politike “Politico”, transmeton “Koha Ditore”.

“Mendoj se diskursi publik i presidentit përbën një faktor në disa prej këtyre veprimeve”, ka shtuar ai.

Blumenthal njihet si një kritik i ashpër i presidentit Trump. Duke thënë se “fjalët prodhojnë pasoja”, ai aludoi në komentet e Trumpit të bëra gjatë një tubimi të vitit 2017 në Charlottesville, në të cilin të pranishëm ishin një numër i madhe i neonazistëve dhe supremacistëve të bardhë.

“Fjalët përnjëmend bartin pasoja dhe ne e dimë se në vetë majën e vendit tonë, njerëzit flasin për ‘njerëz të mirë në të dyja anët’”, ka thënë Blumenthal, duke iu referuar Trumpit.